TIRANË – Kreu i komunitetit mysliman të Shqipërisë ka mirëpritur sot, një ftesën për një vizitë zyrtare në Izrael, të cilën ia ka bërë vetë ambasadori i këtij vendi në Tiranë, z. David Cohen. Kështu ka bërë të ditur sot, zyra e shtypit e ambasadës izraelite në Tiranë.

Ishte z.Cohen ai që sot vizitoi Komunitetin Mysliman të Shqipërisë dhe u prit në një takim të veçantë nga kryetari Skënder Bruçaj.
Bruçaj e njohu ambasadorin Cohen me traditen, dialogun  e tolerancën fetare ndër vite në Shqipëri, punën e veprimtarinë e komunitetit në shërbesë të përmirësimit të edukimit e mënyrës së jetesës së shqiptarëve; ai bëri një panoramë të gjerë të vlerave islame për demokraci, luftë parimore ndaj radikalizmit e çdo lloj  ekstremizmi, që është në kundërshtim me paqen, mirëqenien dhe vlerat demokratike të shoqërisë shqiptare.

Nga ana e tij, ambasadori Cohen i vlerësoi të shkëlqyera marrëdhëniet Shqipëri- Izrael, si një model për të tjerët dhe nënvizoi tolerancën ndërfetare si promotor në shërbim të ndërtimit të një shoqërie demokratike larg gjuhës së urrejtjes e dallimeve racore e fetare.

Sipas tij, kjo klimë specifike shqiptare duhet promovuar e njohur në botë.  Ky identitet tipik shqiptar duhet  të frymëzojë mjaft kombe e shtete, që aspirojnë për paqe e prosperitet. “Ne, si komb e shtet,”- theksoi ai, - “kemi shumë ç'të mësojme nga ju, roli i  Komunitetit tuaj e gjithe spektri fetar shqiptar, që është përvojë pozitive për ne. E kemi parë dhe është provuar gjatë gjithë historisë  së Shqipërisë se mijëra hebrej  u strehuan, u mbrojtën dhe u shpëtuan nga ndjekjet  vrastare të esktremisteve të të gjitha llojeve e veçanërisht gjatë  Holokaustit.”

Në përfundim të takimin, ambasadori Cohen e ftoi  Kryetarin e Komunitetit Musliman, z. Bruçaj për një vizitë zyrtare në Izrael, ftesë që u prit me kënaqësi.

Redaksia online
(armanda shtëmbari/Shqiptarja.com)