Paraprakisht, Zyra e Presidentes në disa raste kishte përsëritur se presidentja ka luajtur dhe do të luaj rolin e faktorit të unitetit dhe të garantuesit të funksionimit demokratik të institucioneve.
"Presidentja Jahjaga, në kuadër të kompetencave të saj kushtetuese do të garantojë unitetin e popullit në vend e në veçanti, në rast të rrezikimit të funksionimit të institucioneve dhe të proceseve nëpër të cilat po kalon vendi", ishte thënë në qëndrimet e kabinetit të saj.
"Bllokmenët" takojnë Jahjagën: Ne kemi zgjidhjen në dorë
Ora 16:00 Liderët e Bllokut opozitar, sot kanë zhvilluar një takim me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga. Takimi me presidenten Jahjaga ka ardhur pas dështimit të seancës së sotme të Kuvendit, për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit.
Pas takimit me presidenten, Isa Mustafa tha se kanë prezantuar ofertën e tyre për realizimin e projektit të Bllokut LDK-AAK-NISMA. I pyetur se a parashohin arritjen e ndonjë marrëveshje për një Qeveri gjithëpërfshirëse, Mustafa tha se “pikërisht marrëveshja e Bllokut parasheh formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse”.
“Ne e kemi një shumicë që ofron zgjidhje të menjëhershme. Po ashtu, kërkuam që të kufizohet koha e thirrjes së seancës, në mënyrë që deputetët të kërkojnë të drejtën e tyre”, ka thënë Mustafa.
Ndërkaq, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se pasi që realizimi i pikës së 126 të Gjykatës Kushtetuese ka dështuar, presin që Bllokut t’i jepet mundësia që të vazhdojnë me realizimin e pikës 127.
Jahjaga takon përfaqësuesit e Listës Serbe
Ora 15: 00 Pas takimit me kryeministrin në detyrë, Hashim Thaçin, presidentja kosovare takoi deputetët e Listës Srpska, Aleksandar Jabllanoviç, kryetari i Partisë Liberale Serbe, Sllobodan Petroviç dhe Goran Rakiç, kryetar i Mitrovicës Veriore. Përfaqësuesit e Listës Srpska nuk u prononcuan pas takimit.
Jahjaga takon Thaçin
Ora 14: 15 Kreu i PDK’së Hashim Thaçi i është përgjigjur i pari ftesës sw Presidentes Atifete Jahjaga e cila po përpiqet ta tejkalojë ngërçin politik duke mbledhur partitë politike. Duket se kreu i PDK-së është i mërzitur nga pamundësia për të zgjedhur kryeparlamentarin. Thaçi ka shkruar tek presidentja Jahjaga bashkë me Zëvendëskryetarin e PDK-së Kadri Veselin, dhe Nënkryetarin Hajredin Kuçin.
"Ne si parti politike i jemi përgjigjur pozitivisht ftesës së presidentes dhe tani do të jemi pjesë aktive, konstruktive që t’i ndërtojmë institucionet mbi bazën e vullnetit të qytetarëve. Mandati i presidentes si simbol i unitetetit politik dhe garantues i funksionimit kushtetues të institucioneve, ne e respektojmë dhe në këtë drejtim ne do të marrim pjesë", tha Kuçi pas takimit.