TIRANË- Neritan Naska, shefi i postës policore të Poliçanit që ishte caktuar nga Policia e Shtetit, për të kontrolluar territorin dhe parandaluar kultivimin e drogës në zonën e Skraparit, donte të ngrihej në detyrë, duke kërkuar në gjykatë gradën e “Komisarit”. Personi që shihni në këtë foto është kryepolici i Poliçanit, Neritan Naska, djali i Enver Naska, ish-kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Skraparit, gjatë sistemit komunist, njëherësh dhe Kryetar i Komitetit të Veteranëve në Skrapar.

Momentalisht Naska ndodhet në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, ndërkohë përgjimet telefonike të kryera nga SHÇBA dhe SPAK, kanë implikuar rëndë pozicionin e tij, në bashkëpunimin me kultivuesit e Hashashit në Skrapar. Pavarësisht marrëdhënies që ka pasur me prodhuesit e drogës, Neritan Naska, kërkonte të ngrihej në detyrë, duke synuar fitimin e gradës “Komisar” nëpërmjet një vendimi të gjykatës Administrative. Por kjo nuk ka ndodhur për shkak se në vitin 2017 dhe më pas në muajin Maj 2019, gjyqtarët administrativë, kanë rrëzuar pretendimet e shefit të policisë Poliçan, që kërkonte nga gjykata, detyrimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, që ti jepte gradën e “Komisarit”. Duke vërejtur vendimin e gjykatës, rezulton se Naska karrierën e tij në polici e ka nisur si polic, pranë repartit të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe për Shpëtim.

Naska, e ka nisur karrierën e tij në polici në vitin 2003,në pozicionin e Shefit i PMNZSH-Kuçovë më gradën e kapitenit të parë. Më pas në Maj 2005, Naska është transferuar si shef i Sektorit të PMNZSH pranë Prefektit të Qarkut Berat, ku i është dhënë grada “Toger”. Në gusht të 2005, Neritan Laska, reszulton të ketë përfituar gradën e “Kryeinpektorit”, për pozicionin e punës që ushtronte si shef i sektorit të PMNZSH, pranë Prefektit të Qarkut Berat. Ndërkohë në 19 qershor 2006, Naska është larguar nga detyra dhe në qershor 2010 është ripranuar sërisht, në rradhët e Policisë së Shtetit, ku këtë herë, i është besuar detyra e specialistit në Sektorin për Operacionet Speciale dhe kërkimit në Drejtorinë e Policisë Qarkut Berat. Në këtë pozicion pune, Naska ka mbajtur gradën e “Nën/komisarit”.

Ndërkohë në 2014 është transferuar në detyrën e specialistit në Sektorin e Trafikut të Paligjshëm në Drejtorinë e Policisë Qarkut Berat” dhe Mars 2016 është transferuar në pozicionin shefit të seksionit në seksionin e Trajnimeve, Përgatitjes Profesionale dhe Fizike ne Sektorin e Burimeve Njerëzore. Mandej është emëruar shef i postës policore në Poliçan, deri në momentin e arrestimit nga policia, për shkak të bashkëpunimit me trafikantët, duke i lejuar të mbyllnin hashash në Tërpan dhe Çorogjaf të Skraparit. Në total,SHÇBA-ja dhe SPAK, kanë mundur të dokumentojnë 28 raste të kultivimit të drogës, duke asgjësuar 5045 bimë narkotike të llojit “cannabis sativa”, si dhe janë sekuestruar 176 kg lëndë narkotike e paketuar në gjendje të thatë, e gatshme për t’u trafikuar.