TIRANE- Adriatik Llalla mori sot detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm në një ceremoni zyrtare, e para e këtij lloji,duke marrë urimin e paraadhëses së tij, zonja Ina Rama që “prokuroria të vazhdojë të mbetet e pavarur dhe me integritet”, por dhe mbështetjen absolute të presidentit.

Në ceremoninë e dorëzimit të detyrës, e zhvilluar sot paradite në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme, ishin të pranishëm, nga Presidenca Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, Bardh Spahia, zonja Ina Rama, Adriatik Llalla dhe prokurorë të Prokurorisë së Përgjithshme

Ceremonia u hap nga Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, Bardh Spahia i cili në emër të Presidentit Nishani siguroi “mbështetjen absolute në emër të ligjit”.

INA RAMA:BASHKE ARRITEM DISA STANDARDE
Në fjalën e saj përshëndetëse Ina Rama falenderoi prokurorët për bashkëpunimin dhe uroi që nga ky institucion të vazhdoj të dëgjojë opinione pozitive.

“Nuk kam mesazhe për tju dhënë, por do tju falënderoj seriozisht dhe me shumë kënaqësi për të gjithë bashkëpunimin, sfidat që kemi kapërcyer dhe punën e madhe që kemi bërë. Gjykoj se keni qenë bashkëpunëtorë të mirë. Ka qenë privilegj të punoj me disa prej jush dhe me disa shkollë e madhe dhe eksperiencë  e mbushur me sfida e ngarkesa emocionale. Ju keni treguar përgjegjshmëri në pjesën më të madhe të ushtrimit të funksioneve. Kemi arritur disa standarde që janë për t’u vlerësuar. Me të vërtetë uroj që prokuroria të vazhdojë të mbetet e pavarur me integritet dhe profesionalitet. Të vazhdoj të dëgjoj gjëra të mira dhe opinione pozitive në prokurori”- tha Ina Rama.

LLALLA: DO MBESHTES PROKURORET QE LUFTOJNE PA KOMPROMIS

Nga ana e tij kryeprokurori i ri Adriatik Llalla tha se do të mbështeste të gjithë prokurorët që do të përmbushin detyrat e parashikuara në ligjin për prokurorinë dhe Kushtetutën.

"Vij nga trupa e prokurorëve ku jam formuar profesionalisht dhe besoj se së bashku do përmbushim detyrat e parashikuar në ligin për Prokurorinë dhe Kushtetutën. Gjatë mandatit tim prioritet do të jenë të motivoj ata prokurorë që përballen pa kompromis me krimin e korrupsionin, duke marrë vendime të drejta dhe të pa ndikuara nga politika. Do të jem garant i motivimit të atyre punonjësve që do të punojnë në përkushtim dhe të përfaqësojnë në mënyrë dinjitoze akuzën. Uroj punë të mbarë. Së bashku do të vijojmë që prokuroria të ketë standardet e kërkuara në ligj"- tha Llalla.

DEKRETIMI DHE VOTIMI

Emri i Adriatik Llallës për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, u dekretua nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani më 3 dhjetor. Llalla mori votat e mjaftueshme në votimin e 7 dhjetorit 2012 në Kuvend. Ai u votua me 75 vota pro, (73 nga PD, 1 nga Kastriot Islami dhe 1 nga Vangjel Dule) .

Opozita abstenoi me argumentin se procesi është antikushtetues, pasi prokurori duhej të zgjidhej në mars të 2013-tës, kur hynin në fuqi dhe ndryshimet kushtetuese. Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli nuk mori pjesë në votim, por u largua nga salla.

Adriatik Llalla, më parë ka mbajtur postin e kreut të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë. Ai do të udhëheqë organin e akuzës së Shqipërisë për pesë vitet e ardhshme.

(sg/shqiptarja.com)