Rëndësia e këtij funksioni u zu në gojë edhe të mërkurën e kësaj jave gjatë punimeve të Komisionit kuvendor për Punët e Jashtme, kur ministri Bushati iu përgjigj pyetjeve që iu drejtuan lidhur me fatin e asaj që thirret dendur si “Marrëveshja e detit me Greqinë”, duke u shprehur, se: “Sa u përket nënshkruesve të marrëveshjes, kryeprokurori ka dokumentacionin përkatës...dhe mund t’i referohet nenit 210 të Kodit Penal, ku përfshihen penalitetet për këtë çështje”, pra ato për cenim të pjesshëm të territorit të Republikës së Shqipërisë. Mirëpo, këto ftesa që iu bënë edhe dy ditëve të fundit Prokurorit të Përgjithshëm, për të ushtruar kompetencat e veta në zbardhjen e një sërë çështjesh të rëndësishme të lidhura me ritmet e ulta të zhvillimeve politike, ekonomike, juridike e sociale të vendit, vështirë se mund të gjejnë mirëkuptim konkret personalisht nga Kreu i organit të akuzës.
Vështirë, jo sepse ekzistojnë boshllëqe të theksuara në Kushtetutë dhe legjislacion, as sepse proceset penale rreth disa çeshtjeve pushohen për mungesë provash, për dhënie vendimesh gjyqësore të formës së prerë apo për efekte të amnistive të ndryshme. Atëhere, ku janë pengesat? Me sa kuptohet, dyshimet vërtiten më së shumti te veprimtaria dhe qëndrimet e mbajtura në vijimësi nga vetë Kryeprokurori Llalla. Dhe ja sepse.
Që kur ky Llalla u emërua në vjeshtë të 2012 – s nga Presidenti i Republikës, dhe për këtë emërim u dha pëlqimi në mënyrë të njëanshme prej Grupit kuvendor të Partisë Demokratike apo mazhorancës parlamentare të Legjislaturës së mëparshme, ai asnjëherë nuk ka shprehur seriozitetin e nevojshëm në ushtrim të funksioneve të veta, veçanërisht për çështje që kanë implikuar dhe implikojnë penalisht drejtuesit e atëhershëm të shtetit, të cilët sot janë në opozitë.
Pra, Adriatik Llalla ka treguar më së tepërmi mirënjohjen individuale ndaj atyre që e shpërblyen, qoftë edhe në mënyrë antikushtetuese (kujtoni efektin prapaveprues që iu dha në atë kohë mandatit të ndërprerë të Ina Ramës!) me një post influent në piramidën shtetërore, ndërkohë që la nga pas në bodrumet dhe skrivanitë e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive shumë dosje të dyllosura, që kurrë nuk u hetuan. Sidoqë ky fillim nuk dukej mjaft premtues, urimet që iu bënë Llallës për emërimin e tij, për shembull nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tek e fundit ranë në vesh të shurdhër. Ranë në vesh të shurdhër, sepse veç të tjerash shoqëroheshin edhe me kujtesën për zbardhjen plotësisht të të vërtetave në shkaktimin e tragjedive të Gërdecit dhe 21 Janarit.
Për këtë të fundit, përveç hetimeve të prokurorëve të rrethit gjyqësor të Tiranës dhe mbrojtjes së akuzës në gjyq ndaj dy ekzekutorëve, nuk është hedhur asnjë hap më tej drejt përcaktimit të përgjegjisë së urdhëruesve të asaj masakre për motive të qarta politike dhe pa precedent në tërë Evropën e pas Luftës II Botërore. Ndërsa, për batërdinë me jetë njerëzish, që ndodhi në periferi të Tiranë dhe pranë të vetmit aeroport ndërkombëtar të vendit, çështja u mbyll me dënime relativisht të lehta për disa ushtarakë, nëpunës dhe biznesmenë të nivelit të mesëm, por për asnjë nga ata drejtues dhe pjesëtarë të familjes së Sali Berishës, të cilët caktuan në mënyrë antiligjore sheshin për të bërë “përsheshin”.
Këtu vlen të kujtojmë një vendim të Gjykatës së Lartë gjatë vitit 2009 për këtë dosje, që përveç masave penale të artikuluara ndaj atyre pak ushtarakëve, nëpunësve dhe biznesmenëve, heqja nga Kuvendi i Legjislaturës së XVIII të imunitetit të ish ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për t’u lejuar ndjekja penale ndaj tij, kishte humbur fuqinë juridike me fillimin e Legjislaturës pasardhëse, gjatë së cilës Mediu vazhdonte të gëzonte statusin e deputetit.
Mirëpo, meqë nuk u muar mundimi t’i kërkohej Kuvendit autorizimi për ndjekjen penale të ish ministrit Mediu, Kryeprokurori Llalla nuk ushtroi kompetencat e veta për këtë ndjekje as kur në Kuvend u bë ndryshimi i një dispozite kushtetuese, ndryshim nëpërmjet të cilit u kufizohej imuniteti deputetëve. Ndëkohë që Kodi i Procedurës Penale në nenin 292 shprehet (citoj): “Vendimi i mosfillimit të procedimit, i pushimit apo i pafajsisë së dhënë për shkak të mungesës së ankimit ose të autorizimit për procedim, nuk pengojnë ushtrimin e ndjekjes penale për të njëjtin person, në qoftë se më pas bëhet ankim, jepet autorizim ose zhduket kushti personal që e bënte të domosdoshëm autorizimin”.
Le të mos zgjatemi edhe me raste të tjera si, bie fjala, për disa kallëzime të bëra nga Ministria e Mbrojtjes ndaj ish ministrit të këtij dikasteri, Arben Imami, për të cilin është shtyrë dhe vazhdon të shtyhet fillimi i ndjekjeve penale, nën pretekstin e shqyrtimit të të dhënave gjatë fazës së verifikimit. Por, të mos harrojmë që legjislacioni procedural penal e parashikon afatin e kësaj faze brenda një muaji. E prra, me tejzgjatje të tillë afatesh, Kreu i një organi tërësisht të centralizuar, siç e përcakton Prokurorinë Ligji Themelor i Shtetit (neni 148/2), nuk bën gjë tjetër se sa përpjekje që t’i zërë pluhuri shumë dosje të krimit të organizuar dhe të korrupsionit, që implikojnë persona të rëndësishëm të politikës dhe shtetit, të lejohet mbase edhe zhdukje të provave dhe të mos aplikohet ndëshkueshmëria sidomos e këtyre personave, deri në vënien kazmën të themeleve dhe konsolidimit të shtetit të së drejtës në një vend goxha problematik në këtë fushë.
Në një kohë, kur dihet fare mirë që çdo gjyqtar dhe prokuror, pa përjashtuar kurrësesi drejtues të lartë në organigramën e institucioneve të tilla, nuk mund të veprojë sipas qejfit të tij apo të ndokujt tjetër, duhet ta marrë frymëzimin nga parimet e sanksionuara, të mos tërhiqet para ndjenjës spazmodike, të ushtrojë diskrecionin e vet të disiplinuar nga sistemi, duke iu nënshtruar në ushtrimin e funksioneve vetëm Kushtetutës dhe ligjit.
Aq më tepër tani vlen të theksohet me forcë mos shmangia e këtyre parametrave, kur në pritje të vendimit në Takimin e fundit të Këshillit të Stabilizim Asocimit BE - Shqipëri, nga kancelaritë e Brukselit u nënvizua në mënyrë eksplicite, se pavarësia, paanshmëria, transparenca, efiçenca dhe përgjegjshmëria e të gjithë aktorëve të sistemit të drejtësisë janë elemente qëndrore në vlerësimin e kriterit politik për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe janë kyçe për të respektuar sundimin e ligjit.
Thua të ketë ndikuar jehona e këtij Takimi, që pikërisht në këtë kohë Adriatik Llalla të mbante një qëndrim krejt tjetër në konferencë shtypi të përbashkët me ministrin e Brendshëm, duke deklaruar se së shpejti organi që drejtonte do të merrte vendime që do ta ndryshonin të ardhmen Shqipërisë? A thua mund të jetë në gjendje ai të bëjë me veten pirueta kaq magjike që të ndihmojë seriozisht me protagonizmin e vet akordimin Shqipërisë të Statusit zyrtar të Shtetit Kandidat për në BE? Jo dhe jo.
Kjo deklaratë, përveçse mund të krijonte te naivët një imazh tjetër, krejt të ndryshëm me ushtrimin e deritashëm të funksioneve të veta të këtij Prokurori të Përgjithshëm, te ndokush tjetër veçse do të arrinte të kujtonte një episod të shumë e shumë kohëve më parë, përtej Atlantikut. Një episod i spikatur nga analet e parlamentarizmit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kur në një seancë të Kongresit iu drejtua Presidentit të atëhershëm një kundërshtar politik me fjalët: “Ti je me dy fytyra!”. Ndërsa Abraham Linkolni, që as mjekra e lënë nuk ia tregonte portretin fort simpatik, prej foltores së tij ia kthehu: “Po të kisha dy fytyra, unë do të mbaja atë tjetrën!”.
Sigurisht, të gjitha krahasimet çalojnë, prandaj referimi te ky detaj i strukur arkivave të pasura të një shteti të madh aleat të Shqipërisë së vogël ka pak gjasa t’i ngjisë një Kryeprokurori të ditëve tona.
Ka pak gjasa t’i ngjisë Adriatik Llallës, që nuk i qartësohet figura. Ishte po ky funksionar i lartë i shtetit tonë, që në fillim të kësaj jave gjatë zhvillimit të një takimi në Tiranë me homologë nga Ballkani dhe shtete të tjera bëri një suprizë të re, por në një sens krejt tjetër. Sipas tij, na paska prova të forta për avionë që uleshin në aeroportin e Gjadrit, për t’u ngritur që andej i mbushur me sasi të mëdha droge. Se çfarë provash, tipike apo atipike përbëkërkan të dhënat që nuk i përmendi ai, ende nuk dihet mirë.
Por, ajo që dinte Prokurori italian i Antimafies së Leçes, Cotaldo Motta - siç u shpreh vetë ky në një intervistë televizive - kishte të bënte vetëm me një avion që u rrëzua në bregdetin e Divjakës sonë. Ndërsa, Zëvendësprokurori kombëtar italian i Antimafias, Francesco Mandoi, nuk ishte informuar asnjëherë nga Llalla, madje edhe për atë avionin panoramik dëgjoi në Tiranë me rastin e pjesëmarrjes së tij në atë Konferencë.
Pra, këto dhe fakte të tjera kompromentuese të bëjnë të dyshosh, se një Prokuror si ky Llalla, që i trëmbet si djalli nga temjani Sali Berishës dhe tërë klanit të tij, nuk mund të mos rrijë e të fshihet pas hijeve të tyre, që fytyra të mos i dalë fort qartë tek nxjerr zërin në unison me të atyre që kërkojnë të vihet në dyshim akordimi i statusit të shumëpritur. Në këto rrethana, nëse një organizatë, të themi, do të publikonte ndonjë pyetsor me kërkesën: “Kryeprokurori është me dy fytyra apo pa asnjërën?”, ndoshta shumica e pjesëmarrësve do të jepte përgjigje pohuese për pjesën e dytë të pyetjes. Me një fjalë, “I pafytyrë!”.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 30 maj 2014
(d.a/shqiptarja.com)