Kryeprokurori, Presidenti:
Mandati mbaron më 22 nënto

Kryeprokurori, Presidenti: <br />Mandati mbaron më 22 nënto
TIRANE- Ditët e Ina Ramës në krye të Prokurorisë së Përgjithshme po sosen. Pas takimeve konsultative të zhvilluara me krerët e grupeve parlamentare, Presidenti Bujar Nishani bën të qartë se mandati i Ina Ramës përfundon më 22 nëntor, çka do të thotë se brenda këtij muaji do të kemi dhe emërimin e Kryeprokurorit të ri.  Ky është i njëjti qëndrim i mbajtur nga PD e LSI. Ndërsa PS në opozitë dhe FRD thonë se mandati përfundon më 23 maj 2013,  ditë kur hynë në fuqi ndryshimi kushtetues që kufizon mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm. 

"Presidenti i Republikës sqaroi, se në respekt të Kushtetutës së vendit dhe ligjit organik të Prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm i Republikës ka një mandat 5-vjeçar. Mandati përbën periudhën kohore gjatë së cilës i emëruari ushtron funksionin e tij. Në referim të të gjitha praktikave gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, fillimi i mandatit i referohet ditës së emërimit apo betimit (nëse kërkohet betimi) dhe përfundon në të njëjtën ditë dhe muaj të vitit të fundit të afatit të përcaktuar në ligj."- thuhet në njoftimin për shtyp të presidencës, të bërë publik pasditen e sotme. Vizion Plus bën të ditur se pasnesër pritet dekreti i Presidentit te Republikës i cili do t'i japë fund dilemës se kush do te vihet në krye të organit të akuzës për 5 vitet e ardhshme. Ina rama u emërua më 22 nëntor, 2007 në postin e kryeprokurores. 

Gjatë paradites së sotme Presidenti zhvilloi takime me Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, z. Astrit Patozi, Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, z. Gramoz Ruçi, Kryetarin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Lefter Koka; Kryetarin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, z. Vangjel Dule , Kryetarin e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, z. Shpëtim Idrizi si dhe me një përfaqësi të Partisë Republikane. Takimet e nisura në orën 10:00 të paradites së sotme përfunduan rreth orës 15: 30. Sërish në këto takime nuk ka qenë pjesë FRD, që përfaqësohet në Kuvendin e Shqipërisë me Gazmend Oketën.

PERFUNDON TAKIMI I FUNDIT, ME IDRIZIN
Ora 15: 30
Ka përfunduar takimi i presidentit Bujar Nishani me kreun e PBDNJ, Shpëtim Idrizin, duke shënuar edhe fundit e takimeve me përfaqësues të politikës lidhur me mandatit e Prokurorit të Përgjithshëm.

MBYLLET TAKIMI I NISHANIT ME DULEN
Ora 14: 30 Deri në orën 14:30 presidenti Nishani zhvilloi takim dhe me përfaqësuesin republikan Neritan Alibali si dhe kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule. Menjëherë pas takimit, Dule u shpreh gjatë një prononcimi për mediat se për Prokurorin e Përgjithshëm duhet një zgjidhje konsensuale mes të gjitha palëve politike.  “Emri i kryeprokurorit duhet të jetë përtej datave pasi prokuroria është një ndërmarrje dhe një sektor në funksion të shtetit të së drejtës. Përditë ndeshemi me një sistem drejtësie me probleme. Duhet dhe shpresojmë që të gjendet një zgjidhje mbi dhe përtej partive politike. Nuk mund të ndërtojmë një shtet evropian pa një sistem drejtësie sipas standardeve evropiane ku prokuroria është epiqendra e saj. Për PBDNJ-in s`ka asnjë problem që përfundimi i mandatit të kryeprokurores do të diskutohet para ose pas procesit elektoral, pasi klima është e polarizuar dhe konfliktuale. Duhet të gjendet një zgjidhje konsensuale”, -tha Dule.
nishani me dulen
 (foto: Nishani dhe kreu i PBDNJ-se Vangjel Dule)

MBYLLET TAKIMI I NISHANIT ME KOKEN
Ora 12: 44 Përfundon takimi i presidentit Nishani me kreun e grupit parlamentar të LSI-së, Lefter Koka.




FRD: MANDATI MBARON NE MAJ, SHKURTIMI I AFATIT ANTIKUSHTETUES
Ora 12: 05 Partia Fryma e Re Demokratike ka reaguar në një prononcim për mediat duke theksuar se mandati i kryeprokurores mbaron në maj të vitit 2013. Sipas FRD-së, shkurtimi i mandatit është shkelje e Kushtetutës dhe akti procedurial është zhvillim negativ pasi vetëm Gjykata Kushtetuese ka të drejtë të interpretojë mandatet kushtetuese.

RUÇI: MANDATI PERFUNDON ME 23 MAJ, NISHANI: ME 22 NENTOR
Ora 11: 58 Kryetari i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi deklaron se PS i ka paraqitur presidentit pikëpamjen se mandati i kryeprokurores mbaron më 23 maj 2013, dhe jo më 22 nëntor. Ndërkohë që presidenti Nishani, sipas Ruçit, kishte qenë i mendimit se mandati mbaron më datën 22 nëntor.

“Ne respektuam ftesën e Presidentit për të ardhur në këtë konsultë për cështjen e prokurores. Ajo që na ndan prerazi në këtë konsultim institucional është pikëpamja që ne kemi. Pas një konsulte të gjerë me isntitucioanlistë e kosntiucionalistë lidhur me kushtetuteshmërinë e mandatit të prokurorit, duke u konsultuar dhe me përvojën ndërkombëtare, ku është shprehur dhe ambasadori i OSBE-së, dhe me rastin e konkret të një vendimi të gjyjkatës së Kosovës, PS ka pikëpamjen se mandati i kryeprokurorit nuk mbaron më datën 22 por më 23 maj 2013, në datën që është futur në fuqi ndryshimi kushtetues që kufizon mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm. Këto ia parashtruam presidentit. Ai kishte mendimin se mandati mbaron më datën 22 nëntor."- tha Ruçi pas takimit në presidencë.





LSI: NUK PROPOZOJME ASNJE EMER, AFATI PERFUNDON NE NENTOR

Ora 11: 45 Burime brenda LSI-së të cituar nga A1 Report kanë thënë se LSI nuk do të propozojë asnjë emër konkret por do të mbështesin propozimin dhe zgjedhjen e Nishanit. Kërkesa që pritet t’i komunikohet presidentit nga kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Lefter Koka në takimin që do të zhvillohet në orën 12:00 do të jetë që “kryeprokurori të mos jetë anëtar partie". Ndërkohë që LSI ka të njëjtin qëndrim si PD lidhur me afatin e mandatit të kryeprokurorit.

TE NISHANI KREU I GRUPIT PS

Ora: 11:05 Nishani nis takimin me kreun e grupit PS-së, Gramoz Ruçin.

nishani ruçi

PATOZI: KRYEPROKURORI TE ZGJIDHET NE NENTOR

Ora 11:00
Në një kontakt telefonik me gazetarët, pas takimit me presidentin Nishani, kreu i Grupit PD-së Astrit Patozi u ka thënë gazetarëve se i kishte propozuar presidentit emërimin e kryeprokurorit në nëntor. Patozi nuk ka dhënë një emër konkret por ai (ajo) duhet të vijë nga sistemi i drejtësisë, dhe nuk duhet të jetë i atakuar nga politika.

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Itali/ ‘Skifter’ dhe shpërndarës droge, në pranga 39-vjeçari shqiptar! I gjenden armë, kokainë, hashash, valutë, pajisje dhe materiale të vjedhura

Itali/ ‘Skifter’ dhe shpërndarës droge, në pranga 39-vjeçari shqiptar! I gjenden armë, kokainë, hashash, valutë, pajisje dhe materiale të vjedhura