Kryeson listën e PS në Berat, Hatixhe Konomi: Qyteti destinacion turistik ndërkombëtar. Mandati i tretë për të vijuar rrugën e zhvillimit socio-ekonomik

Kryeson listën e PS në Berat, Hatixhe Konomi: Qyteti destinacion turistik ndërkombëtar. Mandati i tretë për të vijuar rrugën e zhvillimit socio-ekonomik

Hatixhe Konomi

Pak pas vitit 2013, qarku dhe në veçanti qyteti i Beratit do t’i nënshtrohej një vale investimesh publike si pedonalja e re apo rrugët lidhëse të qytetit që përveçse do t’i ndryshonin fytyrën qytetit muzeal, do të zgjonin edhe impulse të reja për turizmin dhe ekonominë lokale. Sot qyteti shënon një shumëfishim të numrit të turistëve, si dhe të strukturave akomoduese e njësive të shërbimit si bare dhe restorante, çka tregon për një rritje të aktivitetit ekonomik në zonë.

Për kryesuesen e listës së kandidatëve të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 Prillit, Hatixhe Konomi, fuqizimi i mëtejshëm i Beratit si destinacion i turizmit ndërkombëtar si dhe zhvillimi i mëtejshëm ekonomik me mbështetjen e qeverisë shqiptare, është një nga arsyet pse qytetarët beratas duhet t’i besojnë një mandat të tretë qeverisë Rama.

“Mendoj që mënyra e vetme për të rritur ekonominë e qytetit, është të bashkojmë nga njëra anë energjitë e njerëzve të zakonshëm të tij, me projektet madhore që po zbatohen nga Qeveria Rama, për kthimin e Beratit në një destinacion të turizmit ndërkombëtar. Turizmi dhe agrobiznesi janë drejtimet kryesore të zhvillimit të Beratit dhe transformimi rrënjësor i Beratit është i dukshëm dhe prek çdo ekonomi familjare apo sipërmarrës”, thotë Konomi në një intervistë të dhënë së fundmi per lexo.al.

E para e listës së PS në Berat shjegon se eksperiencat e saj të mëparshme në fushën e shërbimeve sociale, e më pas si nënkryetare e Bashkisë së Beratit, duke u përballur me sfidën e mbështetjes së njerëzve në nevojë dhe kategorive më vulnerabël, e kanë bërë më të fortë raportin e saj me njerëzit e zakonshëm në terren, të cilët kërkon t’i përfaqësojë në Kuvendin e Shqipërisë.

Një madant i tretë për partinë socialiste sipas Konomit, është garancia jo vetëm për të vijuar punët e nisura në shërbim të nevojave të beratasve të zakonshëm, por edhe për rrugën e zhvillimit social dhe ekonomik ku qyteti ka hyrë, falë vëmendjes së qeverisë Rama në tetë vitet e shkuara.

INTERVISTA PER LEXO.AL

 Ju vini nga një eksperiencë e konsiderueshme në fushën e shërbimit social dhe shëndetësisë. Si ju ka shërbyer kjo përvojë në njohjen e natyrës së nevojave të njerëzve të zakonshëm dhe a mendoni që mund të jetë ky raport me njerëzit, pika juaj e fortë edhe në politikë?

Hatixhe Konomi: Në punën time kam patur të bëj me njohjen nga afër të natyrës njerëzore, kjo falë eksperiencës sime të kombinuar në shoqërinë civile dhe më pas në administratën publike. Pas diplomimit tim në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe pas studimeve në Francë, jam përfshirë në disa projekte komunitare në bashkëpunim me donatorë, ku kam njohur fillimisht nevojat kryesisht në fushën sociale dhe ekonomike të banorëve të Beratit, për t’i mbështetur më pas me ndërhyrjet e duhura. Më pas, gjatë punës sime në Shërbimin Social në Berat dhe si Nën Kryetare e Bashkisë Berat, kam qënë e angazhuar me çështjet sociale dhe të arsimit, duke u përballur me sfidën e mbështetjes së njerëzve në nevojë dhe kategorive më vulnerabël të shoqërisë. Kur kam filluar punë në Shërbimin Social në Berat, ishin duke u zbatuar reformat e ndërmarra nga Qeveria e Kryeministrit Rama në fushën e Shërbimeve Sociale, për paketën financiare të ndihmës ekonomike dhe të paaftësisë dhe kam punuar për vënien në zbatim të tyre duke rritur spektrin e përfshirjes sociale dhe shmangur abuzimet e mundshme në skemën e ndihmës. Më tej, në punën time si Nën Kryetare Bashkie jam përballur më dy sfida të mëdha, të krijuara nga tërmeti i Nëntorit 2019 dhe Pandemia. Kam qenë pjesë e një skuadre këmbengulëse në Bashkinë Berat edhe pse në kushtet e nje borxhi marramendës të trashëguar nga administrata e mëparshme e LSI, për të mbështetur maksimalisht familjet në vështirësi, duke rritur shërbimet sociale dhe duke ofruar ndihmë për rastet në nevojë. Me shumë energji dhe dashuri, jam përpjekur që duke kombinuar eksperiencën time, por edhe frymën e ekipit në Bashki, t’i gjendem pranë njerëzve të qytetit tim. Kjo përvojë më ka ndihmuar dhe besoj që është pikë e fortë e imja në trajtimin dhe mënyrën sesi duhet të ndërtojmë marrdhënien me njerëzit. Jam përpjekur të tregoj respekt për njerëzit, t’i dëgjoj dhe të përpiqem me shumë kembëngulje që t’i ndihmoj.

Cilat janë çështjet, nevojat, apo problematikat e komunitetit të Beratit, për të cilat ju do të angazhoheni më shumë nesër si deputete e Kuvendit të Shqipërisë?

Hatixhe Konomi:: Unë do ta përmblidhja shkurt, në atë që fokusi im do të jetë qëndrimi sa më pranë njerëzve të qytetit tim dhe ngritja e problematikave të përditshme të tyre që kanë të bëjnë kryesisht me rritjen ekonomike, punësimin dhe çështjet sociale. Mendoj që mënyra e vetme për të rritur edhe më shumë ekonominë e qytetit, është të bashkojmë nga njëra anë energjitë e njerëzve të zakonshëm të tij, me projektet madhore që po zbatohen nga Qeveria Rama, për kthimin e Beratit në një destinacion të turizmit ndërkombëtar. Turizmi dhe agrobiznesi janë drejtimet kryesore të zhvillimit të Beratit dhe transformimi rrënjësor i Beratit është i dukshëm dhe prek çdo ekonomi familjare apo sipërmarrës.

Berati është një nga pikat më tërheqëse të turizmit shqiptar dhe i ka të gjitha bekimet e potencialet për të qënë një kryeqëndër e turizmit në vendin tonë. Çfarë mendoni se duhet bërë më shumë në terma strategjikë për të konsoliduar ofertën turistike të qytetit të bardhë?

Hatixhe Konomi: Berati tashmë ka përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën turistike, siç e përmenda më sipër, falë projekteve madhore të implementuara. Restaurimi i dy rrugëve lidhëse në Kala, ByPassi i vogël i qytetit, projekti për furnizimin me ujë 24 orë, projekti për ndërtimin e landfillit, projekti për parkingun dhe rehabilitimin e sheshit Teodor Muzaka, projekti për ndriçimin e Kalasë, projekti për rehabilitimin e lagjes Goricë dhe Qëndrës Mesjetare, investimet në fshatrat turistikë po rrisin ofertën turistike. Unë besoj se këtë vit, edhe pse në kushte të rënduara të Pandemisë, turizmi do të ringrihet. Vetëm në katër vitet e fundit kemi një rritje prej 35% të turizmit, ku 60% janë vizitorë të huaj. Janë rreth 400 shtretër të cilët iu shtuan në dy vitet e fundit qytetit, 4 hotele të mëdhenj dhe 53 bujtina. Banorët e lagjeve muzeale,kanë filluar të investojnë në banesat e tyre për t’i kthyer në funskion të turizmit, ndërkohë kanë filluar investimet në fshatrat turistikë si Roshnik, Bilcë , Mbreshtan, Paftal, Sinjë, Drobonik, për të patur biznese të vogla familjare në funksion te agro-turizmit.

Le të mos harrojmë se Berati si qark ka një potencial shumë të madh bujqësor. Besoj në takimet tuaja, keni patur mundësinë të kuptoni se cfarë duhet bërë më shumë në aspektin e fuqizimit të fermerëve dhe sipërmarrjeve bujqësore të kësaj zone….?

Hatixhe Konomi: Bujqësia është një potencial shumë i rëndësishëm për Beratin. Programi i Qeverisë Shqiptare për mbështetjen e fermerëve përmes Agjensisë së Zhvillimit Bujësor dhe Rural, nga viti 2013 në vijim ka financuar mbi 11 mijë e 800 projekte me vlerë mbi 1 miliard lekë për qarkun e Beratit. Një ndihmë e jashtëzakonshme kjo për fermerët dhe ekonomitë e vogla në fshatrat e Beratit. Nga ana tjetër rrugët e reja që lidhin Qarkun e Beratit me Përmetin, apo rruga e Teqesë së Kulmakut në malin e Tomorrit, rruga e Drobonikut, apo investimet në ujësjellesat e fshatrave, po i japin një frymëmarrje tjetër zhvillimit të turizmit të natyrës, që prek direkt banorët e fshatrat tona. Ka një tendencë në rritje për turizmin rural sidomos në kushtet e Pandemisë dhe për kombinimin e sporteve në natyrë me kulinarinë tipike tradicionale. Produktet tona si verërat, vreshtaria, qershia apo fiku, janë konkurruese në treg dhe kanë potencialin që të kemi rritje të numrit të fermave turistike.

Tanimë që fushata ka nisur, cila është natyra e mesazheve që merrni në takimet e përditshme me qytetarët e Beratit? Si e kanë pritur ata faktin që një zonjë udhëheq listën e kandidatëve për deputetë?

Hatixhe Konomi:: Duke qënë e para zonjë që udhëheq listën e kandidatëve për deputet në Berat, kam marrë mesazhe të menjëhershme inkurajuese nga gratë dhe vajzat e qytetit dhe nga banorë të qytetit, që një zonjë i përfaqëson në një nivel kaq të lartë. Qytetarët e Beratit e shikojnë me interesim faktin që unë jetoj në një qytet me ta dhe përballem me të njëjtat problematika të jetës së përditshme. Puna ime e mëparshme si Nën Kryetare e Bashkisë ma ka bërë më të lehtë komunikimin me njerëzit, pasi kam qënë në pjesën më të madhe e familjarizuar me problematikat dhe çështjet që ata shtrojnë. Kjo e bën më të prekshëm kontaktin me qytetarët, duke vijuar natyrshëm vazhdimin e kontakteve që kanë nisur qysh në Bashki. Komunikimi i përditshëm me ta është pjesa më thelbësore e fushatës sime sepse dua të njoh deri në imtësi pritshmëritë që ata kanë prej nesh si forca politike më e madhe në vend./ Lexo.al

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Sulm masiv me raketa në Kharkiv! Zelensky: 2025 bëhet viti i paqes për Ukrainën

Lufta/ Sulm masiv me raketa në Kharkiv! Zelensky: 2025 bëhet viti i paqes për Ukrainën