Kreu i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, ka pritur dje nxënës të shkollës 9-vjeçare “Abdyl Paralloi”. Arsyeja e vizitës së tyre ishte aktiviteti i zhvilluar pak ditë më parë nga Bashkia Elbasan në bashkëpunim me vullnetarët amerikane të Korpusit të Paqes dhe organizatave të tjera, në Ditën Botërore të Tokës.

Fëmijët i pohuan Sejdinit se janë njerëzit ata që duhet të jenë më të përgjegjshëm ndaj dëmeve të mëdha që i sjellin Tokës. “Njerëzit duhet të jenë më të kujdesshëm që të mos i hedhin plehërat jashtë kontenierëve, të mos e ndotin ajrin dhe ujin, pasi kështu shkatërrojmë veten tonë”, thanë ata.

Kryebashkiaku Sejdini duke folur për pastërtinë e qytetit, tha se “Sa herë flasim për ndotjen e mjedisit aq herë na shkon mendja te Kombinati Metalurgjik apo Fabrika e Çimentos, që kanë qenë problematike për ndotjen e mjedisit.

Tashmë, tha ai, ne kemi dy probleme të tjera madhore, së pari, mbajtjen pastër të pallatit, rrugicës, rrugës, apo shëtitores ku jetojmë dhe së dyti, fushën e mbeturinave urbane të qytetit, trajtimi i të cilave mungon thuajse fare.