TIRANË, 24 Nëntor/ATSH/- Kuvendi i Shqipërisë, nëpërmjet një njoftimi për mediat, bën me dije se me ftesë të Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, vjen për një vizitë në Tiranë, Kryetari i Parlamentit të Republikës të Turqisë, Cemil Çiçek.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, do të presë më datë 25 nëntor 2014, në orën 12:30, në një takim në Kryesinë e Kuvendit, Kryetarin e Parlamentit të Republikës të Turqisë, Cemil Çiçek dhe delegacionin që e shoqëron. Pas takimit dy homologët do të kenë një prononcim të përbashkët për shtyp.
"Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Kryetari i Parlamentit të Republikës të Turqisë, Cemil Çiçek, do të takohet me krerët më të lartë të vendit, Presidentin e Republikës, Bujar Nishani dhe Kryeministrin Edi Rama", thuhet në njoftimin për mediat të Kuvendit të Shqipërisë./i.v//a.ke/








