TIRANE – “Njohja dhe mbrojtja e grupeve të veçanta nga diskriminim është detyrim i çdo institucioni, grupimi dhe individi”. Kështu u shpreh sot ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, gjatë tryezës për prezantimin e Planit Strategjik 2012-2015 dhe Planit të Veprimit për vitin 2012 të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

“Partitë e reja politike të krijuara kohët e fundit duhet të bëjnë kujdes që në programin e tyre të mos trajtojnë në mënyrë diskriminuese dhe paragjykuese çështjet e minoritetit”, paralajmëroi ministri.

“Ligji “Për mbrojtjen nga diskriminimi” merr përsipër të sigurojë mbrojtje nga diskriminimi në punësim, arsim, mundësi për të përdorur ose përfituar nga shërbimet publike dhe private, pjesëmarrjen në politikë etj. dhe Komisioneri është institucioni ankimues dhe garantues i mbrojtjes nga diskriminimi, ndihmon në funksionimin e mekanizmave për zbatimin e Ligjit”, shpjegoi Ksera.

“Marrëveshja e nënshkruar disa muaj më parë mes Komisionerit dhe Ministrisë së Punës – tha Ksera - jo vetëm që formalizon bashkëpunimin mes dy institucioneve, por jep edhe garanci më të mëdha në mbrojtjen nga diskriminimi të individëve që vijnë nga grupet vulnerabël në tregun e punës dhe në aksesin ndaj shërbimeve”.

“Sfida jonë – vazhdoi ministri në fjalën e tij - qëndron në hartimin dhe zbatimin e politikave të posaçme dhe të përkohshme që garantojnë mbrojtjen reale nga çdo lloj diskriminimi. Marrja e këtyre masave synon tejkalimin e çdo pabarazie të vërejtur deri më sot”.

Sipas Kserës, “ndërgjegjësimi i shoqërisë shqiptare për nevojat dhe trajtimin e barabartë të këtyre kategorive është një hap tjetër, i cili kërkon bashkëpunimin serioz mes strukturave të shtetit, shoqërisë civile, medias dhe gjithë personave e grupeve të tjera të interesuara. Për këtë, kërkoj mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithë aktorëve të shoqërisë për t’u mbështetur në të gjitha iniciativat ligjore dhe politike që Qeveria shqiptare do të ndërmarrë në këtë kuadër”, përfundoi ministri.

(im/shqiptarja.com)