KSHH:Të plotësohet KQZ, është
e njëanshme dhe e politizua

KSHH:Të plotësohet KQZ, është<br />e njëanshme dhe e politizua
TIRANE- Komiteti Shqiptar i Helsinkit, në raportin e përgatitur lidhur me monitorimin e zgjedhjeve të 23 qershorit, ka vënë në dukje disa nga problematikat me të cilat po shoqërohet procesi zgjedhor. Listat e paplota dhe jo të sakta të zgjedhësve, pjesëmarrja e gjerë e zgjedhësve në votime, si dhe përdorimi i teknologjisë zgjedhore, janë disa nga dilemat që ngre KSHH.
 
Theksi në raport vendoset në plotësimin e KQZ-së, në mënyrë që të plotësojë funksionin e tij.
“KQZ rrezikon të gjithë procesin zgjedhor ndaj duhet nxituar për plotësimin e institucionit. Mos zëvendësimi i 3 anëtarëve mund të shoqërohet me pasoja të dëmshme, e të rënda për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, certifikimin e tyre dhe arritjen e standardeve për zgjedhje të lira e të ndershme, prandaj duhet riparuar sa më parë”, thuhet në raport.
 
Sipas raportit të Komitetit Shqiptar të Helsinkit për situatën paraelektorale vendimet e këtij institucioni, janë cilësuar si të njëanshme dhe të politizuara.
 
“Jemi të mendimit se gjatë veprimtarisë së tij ky organ ka manifestuar, në disa raste, qëndrime të njëanshme dhe të politizuara, si p.sh në kuadër të miratimit të numrit të zonave zgjedhore dhe mandateve për secilën prej tyre. Pozicionimi politikisht i anëtarëve të KQZ krijoi pamundësi vendimmarrjeje dhe si pasojë dy çështjet e para u zgjidhën, përkatësisht, nga Kolegji Zgjedhor dhe Kuvendi. Përsa i përket vendimit të tretë ai është kritikuar, si jo ligjor, si nga vëzhguesit ndërkombëtarë, ata vendas, përfshi dhe KSHH. Siç dihet, anëtarët e KQZ-së propozohen nga partitë politike të shumicës dhe opozitës parlamentare dhe përfundimisht zgjidhen nga Kuvendi, duke bërë betimin përpara këtij organi”, thuhet në raport.
 
Më tej, në vijim të gjykimit për situatën e krijuar në KQZ, thuhet “KSHH mendon se anëtarët e KQZ janë të detyruar të veprojnë në mënyrë të pavarur e të paanshme, duke zbatuar vetëm Kushtetutën dhe ligjin. Në këtë kontekst ne kemi shprehur publikisht mendimin se nuk duhej t’i ndërpritej mandati, para kohe, anëtarit të KQZ-së të propozuar nga Partia LSI dhe i emëruar nga Kuvendi, sepse KQZ nuk duhet konceptuar dhe as të funksionojë, në asnjë rast, si organ politik. Kjo do të rrezikonte vendimmarrjen ligjore dhe të paanshme të tij, siç dhe ka ndodhur realisht”.
 
Nga monitorimi i situatës paraelektorale KSHH-ja ngre shqetësimin për listat e pasakta zgjedhore, mospërcaktimin e qendrave të votimit për zgjedhësit, mosfunksionimin e komisioneve zonale të administrimit zgjedhor, ndërrimin e shpeshtë të komisionerëve.
 
“Ne kemi monitoruar publikimin e ekstrakteve të përbërësve zgjedhorë, që sipas ligjit duhet të shpalleshin çdo muaj, duke filluar nga 3 janari 2013. Nga verifikimet tona në vend, ekstraktet e sipërpërmendura, ose nuk u publikuan në afatin e caktuar, ose publikimi i tyre nuk u bë sipas mënyrës së parashikuar nga Kodi Zgjedhor. Ka tregues dhe arsye të besohet se ka ende pasaktësi në listat e zgjedhësve dhe në mënyrë të veçantë, shqetësues është fakti se ende ka zgjedhës, që duke mos pasur adresë të saktë banimi, ose sepse QV e tyre ndodhet në një mjedis privat, pa adresë të saktë, nuk dinë ende se ku duhet të shkojnë për të votuar”, thuhet në raportin e KSHH.
 
Ndërsa duke u ndalur tek fushata zgjedhore, KSH bën me dije se ajo jo vetëm ka filluar 5-6 muaj më parë se afati i caktuar në ligj, por edhe ka qenë e shoqëruar me incidente. Sipas KSHH ka të dhëna se, administrata dhe institucionet arsimore detyrohen të jenë pjesë e saj.
 
Ndërkaq, KSHH veçon edhe ashpërsimin e toneve mes palëve politike me afrimin e datës së zgjedhjeve.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?



×

Lajmi i fundit

Sulmohen me gurë 2 autobusë me tifozë të Skënderbeut, nga Tirana po ktheheshin në Korçë! Thyhen xhamat (FOTO)

Sulmohen me gurë 2 autobusë me tifozë të Skënderbeut, nga Tirana po ktheheshin në Korçë! Thyhen xhamat (FOTO)