TRIPOLI - Pistat të reja lidhur me vrasjen e ish kolonel Gaddaff të ekzekutuar një vit më parë më 20 tetor, hedhin dyshime të forta se mund të ketë qenë një agjent francez ai që qëlloi ish-diktatorin e Libisë.

Kjo nuk është hera e parë që hidhen dyshime mbi versionin zyrtar lidhur me vrasjen e kolonelit, por këtë herë bëhet fjalë për një deklaratë të ardhur nga Mahmoud Jubril, ish-kryeministri i qeverisë të përkohshme të Libisë, i cili ka bërë publike versionin sipas të cilit, kanë qenë pikërisht shërbimet sekrete të huaja që kanë komplotuar gjithçka.

"Në brigadën revolucionare e cila vrau kolonelin, ka patur një agjent të huaj të infiltruar", deklaroi ai në një intervistë për mediat egjiptiane në Cairo, ku ndodhet për të marrë pjesë në një debat lidhur me pranverën arabe.

Versioni i përhapur nëpër institucionet diplomatike në kryeqytetin e Libisë është se nëse vërtetë ka patur agjentë sekret të huaj të cilët kanë shkaktuar vdekjen e kolonelit, atëherë ato me siguri janë francezë.

Kjo lloj sigurie vjen pasi që nga fillimi i kryengritjeve, të cilat u mbështetën fort nga presidenti francez i asaj kohe Nikolas Sarkozy, Gaddafi kërcënoi në mënyrë të hapur se do të bënte publike detajet e marrëdhënieve të tyre, përfshirë këtu edhe miliona dollarë të hedhura për të financuar kandidaturën e ish presidentit francez në 2007.

Sipas burimeve diplomatike evropiane ne Tripoli, "Sarkozy kishte të gjitha arsyet e mundshme që ta bënte kolonelit që të heshte, madje sa më shpejt të ishte e mundur".

Këto fakte mbështeten edhe nga një intervistë e bërë nga gazeta italiane Il Corriere, me ish përgjegjësin e marrëdhënieve me agjencitë e huaja në Benghazi të Sirisë, sipas së cilit lajmi për vendndodhjen e kolonelit është trasmetuar tek agjentët e NATO-s nga presidenti sirian Bashar al Assad, pasi ky i fundit kishte marrë premtimin nga ana e Parisit, për limitimin e presionit të ndërkombëtarëve mbi Sirinë për të hequr dorë nga shtypja e revoltave popullore.

(ed.ka/shqiptarja.com)