TIRANE- Kryeministri Sali Berisha i kërkon zyrtarisht Turqisë kthimin e kokës së Ali Pashë Tepelenës dhe të eshtrave të Sami Frashërit. Mediat turke bëjnë të ditur se kjo kërkesë është bërë zyrtare gjatë vizitës që ministri i Mbrotjes i Turqisë, Ismet Yilmaz bëri pak ditë më parë në Shqipëri.

Në asnjë nga deklaratat zyrtare të cilat u shpërndanë në media nga institucionet shqiptare të cilat u vizituan nga ministri turk, nuk flitej për një kërkesë të tillë. Lajmi zbulohet nga mediat turke të cilat shkruanin dje detaje të vizitës së Ismet Yilmaz në Turqi.

Të përditshmet online "Haber", "Turktime", "Egedesonsoz.com",“Cihan” raportonin se kryeministri Sali Berisha i zyrtarizoi premtimin e dhënë pak kohë më parë, grupit diplomatik turk që vizitoi Tiranën javën e kaluar.

Biseda është konfirmuar për median nga Rifat Sait, deputet i Partisë së Kryeministrit Erdogan, Drejtësi dhe Zhvillim, i cili ishte dhe pjesë e delegacionit turk gjatë vizitës në Tiranë.

“Kryeministri shqiptar Sali Berisha ka kërkuar që Turqia të kthejë në vendin e tij eshtrat e dy shqiptarëve të shquar otomanë, Sami Frashëri dhe Ali Pashë Tepelena.” - shkruan gazeta online “Cihan”.

Mediat turke bëjnë të ditur se ministri i Mbrojtjes ka marrë në konsideratë kërkesën. Në fund të muajit dhjetor në një nga mbledhjet e komitetit të qeverisë, kryeministri Berisha deklaroi se do t'i kërkonte Turqisë kthimin e kokës së Ali Pashë Tepelenës por dhe të eshtrave të Sami Frashërit.

Deputeti turk që drejton shoqatën “Miqësia Shqipëri- Turqi” e quan kërkesën shumë të habitshme.

Gazetat turke e vlerësojnë si një lëvizje për të fituar votat nacionaliste në zgjedhjet e ardhshme

Redaksia online

(sg/shqiptarja.com)