Kthimi i pronave, Tokat e
“7501”-shit kompensim 100%

TIRANE- Qeveria po bën gati një projektligj, sipas të cilit, për herë të parë, parashikohet kompensimi edhe për tokat, që u janë dhënë, në fillim të viteve '90, ish-punonjësve të kooperativave bujqësore apo ish-banorëve të fshatit, por që, para se të shtetëzoheshin apo kolektivizoheshin, kishin pronar tjetër. Fjala është për ligjin 7501, që tashmë ka bërë pronarë dhjetëra mijëra fermerë. Sipas burimeve nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronës (AKKP), pronarët e vjetër do të kompensohen në masën 100 për qind, por me këste të barabarta, në rast se kompensimi do të jetë në lekë apo mund të kompensohen në natyrë, me një tokë me vlerë të njejtë, ndoshta në një zonë tjetër, nga fondi i tokave të lira. Sipas AKKP, deri tani në këtë fond janë regjistruar 900 milionë metra katrorë troje, që mund të përdoren për kompensim. Vetëm se do të jetë shteti ai që do të gëzojë të drejtën të caktojë në se pronari do të marrë para apo pronë tjetër. Subjektet nuk do të kenë të drejtë të kërkojnë kompensim në njërën apo tjetrën formë. Në rast se subjekti refuzon të pranojë kompensimin e dhënë, ai e humbet të drejtën për kompensim për atë këst/pjesë.
Dokumenti i ri parashikon që, nga janari i vitit 2013, shteti shqiptar të fillojë të punojë me skemën e re ligjore për kompensimin e ish-pronarëve dhe jo më me atë, me të cilën është operuar deri tani. Në fakt, skema e vjetër nuk është më funksionale që nga fundi i 2011-ës. Por, me sa duket, gjatë vitit në vazhdim nuk do të ketë veprime të tjera, veç kompensimit të pronarëve, pasuritë e të cilëve janë zënë nga ndërtimet pa leje.
Nga skema e re parashikohet të përfitojnë ish-pronarët që disponojnë vendime për kompensim, të cilat janë përfundimtare dhe të ekzekutueshme. Nëse ka fond fizik brenda qarkut ku ndodhet prona e kompensuar, kompensimi fizik do të jepet në këtë qark. Në të kundërt jashtë qarkut, por, gjithsesi, sa më afër qarkut ku ndodhet prona e kompensuar.
Duke folur dje për çështjen e pronave, ambasadori i OSBE-së Eugen Wollfarth tha se "aktualisht, legjislacioni konfliktual dhe mungesa e vazhdueshme e harmonizimit e ka bërë reformën e pronës më të komplikuar, është bërë pengesë për zbatimin efikas të ligjeve dhe akteve të detyrueshme nënligjore dhe ka vonuar proceset ligjore duke çuar në rënie të sigurisë ligjore". Një ditë më parë, ka qenë presidenti Topi, i cili është shprehur se "s'mund të jetë luks i politikës që ta trajtojë çështjen e pronës si të dojë, duke nxjerrë akte administrative pafundësisht, sa që dhe specialisti më i mirë i çështjes së pronave, e ka shumë të vështirë të orientohet".
(sg/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Debat në ‘Studio LIVE’, Merkoçi: SPAK s'merret me hetime anonime, nivel prokurorie qyteti! Demalia: Asnjë fajtor për Gërdecin! Kur do bëhet drejtësi, kur të vdesë Berisha?

Debat në ‘Studio LIVE’, Merkoçi: SPAK s'merret me hetime anonime, nivel prokurorie qyteti! Demalia: Asnjë fajtor për Gërdecin! Kur do bëhet drejtësi, kur të vdesë Berisha?