Tre ambiente të përshtatura për zhvillimin e paligjshëm të lojërave të fatit si dhe për përdorimin, blerjen dhe shitjen e lëndëve narkotike, janë zbuluar nga një operacion policor në Milot dhe Laç.
Kjo ngjarje ka pasur më pas me dorëheqjen e drejtorit të Policisë së Lezhës Islor Islami.
Në pranga kanë rënë Shkëlzen Preni, Dorjan Medha dhe Ylli Veseli, në kërkim është shpallur Pejtër Lleshi ndërsa një tjetër është vënë nën hetim në gjendje të lirë. Të gjithë këta janë pronare ose administratorë të këtyre ambienteve.
Sakaq, Policia gjeti dhe sekuestroi 15 makineta, 3 tavolina pokeri dhe sasi kokaine.
Për të dyja rastet, si Lezha dhe Tirana, sipas burimeve, denoncimet janë bërë në adresën elektronike të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
“Policia e Shtetit/Finalizohet operacioni i koduar “Rastet”.
Operacioni u zhvillua pas informacionit të siguruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Zbulohen në Milot dhe në Laç, 3 raste ku kishin përshtatur ambientet për lojëra fati me makineta dhe tavolina pokeri.
Njëri prej ambienteve, gjithashtu i përshtatur për përdorim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Sekuestrohen 15 makineta, 3 tavolina për lojën “Poker”, sasi lënde narkotike Kokainë, shumë parash, si dhe sende të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie të kundërligjshme.
Arrestohen 3 shtetas, procedohet penalisht 1 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 (pronarë dhe/ose administratorë të ambienteve).
Bazuar në informacionet e siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për disa raste ku ishin përshtatur ambientet për zhvillimin e lojërave të fatit, me makineta dhe tavolina pokeri, shërbimet e Policisë organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Rastet”.
Gjatë operacionit u zbuluan 3 ambiente të përshtatura për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit, dhe u konstatua se te njëri prej tyre gjithashtu përdoreshin dhe shiteshin lëndë narkotike. Konkretisht, për këto raste:
-u arrestuan shtetasit Sh. P., 21 vjeç dhe D. M., 33 vjeç, dhe u procedua penalisht shtetasi S. Sh., 61 vjeç, pasi në një lokal në Laç, në pronësi të shtetasit të proceduar, subjekt i cili dyshohet se bashkadministrohej nga 2 të arrestuarit, u gjetën 8 makineta, 2 tavolina dhe sende të tjera për lojëra fati, si dhe sasi lëndë e dyshuar narkotike Kokainë, e ndarë në doza;
-u arrestua shtetasi Y. V., 45 vjeç, pasi në lokalin e tij, në Milot, u gjetën 6 pajisje dhe sende me të cilat luheshin lojëra fati;
-u shpall në kërkim shtetasi P. Ll., 31 vjeç, pasi në një ambient në pronësi të tij, në Milot, u gjetën 2 makineta, 1 tavolinë dhe sende për lojëra fati. Punohet për kapjen e 31-vjeçarit.
Kontrollet kundër kësaj paligjshmërie, vijojnë në subjekte dhe në ambiente të ndryshme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.
Lajmi kryesor:
Kazinotë e paligjshme të kthyera në makth për kryepolicët/ Goditen lokale në Kurbin e Tiranë, 8 në pranga! Dorëhiqet kreu i policisë në Lezhë











