Vetëm tre ditë na ndajnë nga nata e ndërrimit të viteve. Për të gjithë ju që po bëni plane se si do festoni, një darkë të ngrohtë në shtëpi, apo në restorant, Anira Gjoni na njeh me parashikimin e motit për natën e ndërrimit të viteve.
Ekspertja nga Shërbimi Meteorologjik Ushtarak thotë se temperaturat do të jenë të ngrohta, ndërsa priten reshje lokale pasditen e 31 dhjetorit, kryesisht në zonat malore.
"Temperaturat do vazhdojnë përgjatë këtyre ditëve të jenë në të njëjtat vlera, nesër presim minimalet të zbresin 7 gradë, maksimale 18 gradë. Gjatë këtyre ditëve, deri me datë 31 presim të jemi rreth këtyre vlerave. Mor i qëndrueshëm, me temperatura të ngrohta për stinën e dimrit. Natën e ndërrimit të viteve, pritet që të kemi reshje të dobëta lokale në formën e shiut, por jo problematike. Edhe në kryeqytet mund të përfshihet pak, por kryesisht zonat malore. Në lartësitë mbi 1 mijë metër mund të jenë të kombinuara edhe me reshje bore", tha Gjoni.
Ndërkohë, sa i takon muajit janar, Gjoni tha për Report Tv se do jetë një muaj më i ngrohtë se temperaturat mesatare.
“Do kemi rritje prej 2 gradësh me datë 1, do jenë temperatura të ngrohta për fundvitin. Janari presim që të jetë një muaj më i ngrohtë se mesataret normale, do jetë i shoqëruar më reshje. Do jenë pak a shumë në vlerat e dhjetorit, mbase edhe 2 gradë më shumë", tha Gjoni për Report Tv.