Të paktën pesë persona janë arrestuar në qytetin Morón, ku gjatë protestave për ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë elektrike dhe mungesën e ushqimit, është sulmuar selia lokale e Partisë Komuniste.

Këtë e bëri të ditur Ministria e Brendshme e Kubës, duke sqaruar se gjatë protestave – të cilat shpërthyen natën e kaluar në qytetin që ndodhet rreth 500 kilometra nga Havana – është raportuar edhe një person i plagosur.

Sipas organizatës joqeveritare Justicia 11, ky person është plagosur nga një plumb arme zjarri.

“Protesta që kishte nisur në mënyrë paqësore, pas një shkëmbimi me autoritetet lokale, u shndërrua në akte vandalizmi kundër selisë së komitetit komunal të partisë”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë.

Kubë po zhvillohen protesta të quajtura “cacerolazos”, ku njerëzit dalin në rrugë dhe godasin tenxhere e tigane për të shprehur zemërimin ndaj situatës gjithnjë e më të vështirë, për shkak të mungesës së energjisë, ushqimit dhe ilaçeve.

Sipas Martí Noticias, në Havana prej shtatë netësh rresht po zhvillohen “cacerolazos” dhe protesta të tjera. Autoritetet janë përgjigjur duke vendosur në rrugë policinë e ministrisë së brendshme dhe edhe forcat speciale të ushtrisë kubane.