Uragani ‘Melisa’ ka goditur Xhamajkën. Një stuhi e kategorisë 5, më e fuqishmja e regjistruar ndonjëherë në ishullin e Karaibeve, me erëra që arritën shpejtësinë deri në 300 kilometra në orë. Deri më tani raportohen për 7 të vdekur, nga të cilët tre në Xhamajka, tre në Haiti dhe një në Republikën Dominikane.

Pasi kaloi Xhamajkën, uragani u reduktua në kategorinë 4, por mbetet "i fuqishëm", njoftoi Qendra Kombëtare e Uraganeve e SHBA-së.

Ndërsa shqetësuese është edhe shpejtësia e ngadaltë e uraganit, që lëviz me 5 kilometra në orë dhe mund të vazhdojë për orë të tëra jo vetëm mbi Xhamajka, por edhe mbi Kubë, ku janë evakuuar 600,000 njerëz, dhe Ishujt Turks dhe Caicos.

Shirat e rrëmbyeshëm kanë filluar në Kubë, me erëra tropikale me forcë stuhie që do të arrijnë në disa zona bregdetare. Erërat me forcë uragani do të mbërrijnë më vonë sot dhe do të vazhdojnë gjatë natës. Këto erëra do të gjenerojnë gjithashtu deri në 3.5 metra lartësi të valëve të stuhisë që do të jenë kërcënuese për jetën, veçanërisht rreth zonës së daljes në det.

Sipas një vlerësimi të Kryqit të Kuq, uragani mund të prekë gjithsej 1.5 milion njerëz. 25 mijë turistë që ndodheshin në Xhamajkë janë strehuar në vende të sigurta.

Ndërsa ekspertët, bëjnë me dije se asnjë infratrukturë nuk mund ta përballojë fuqinë e këtij uragani, i cili konsiderohet si më i fuqishmi i vitit 2025.

Po ashtu Shtetet e Bashkuara kanë zhvendosur anijet e tyre të dislokuara në Karaibe. Që nga gushti, Uashingtoni ka mobilizuar shtatë anije luftarake, si dhe avionë luftarakë F-35, për të luftuar trafikun e drogës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:58
Reduktohet fuqia e uraganit ‘Melisa’, ulet në kategorinë 4

Uragani Melissa është reduktuar në kategorinë 4, por mbetet "i fuqishëm", njoftoi Qendra Kombëtare e Uraganeve e SHBA-së pasi stuhia kaloi Xhamajkën.

"Melissa mbetet një uragan i fuqishëm i kategorisë 4 mbi Xhamajkën veriperëndimore", deklaroi Qendra në njoftimin e saj të fundit, duke shtuar se stuhia po arrinte shpejtësinë maksimale të erërave prej 150 miljesh në orë (240 kilometra në orë).

"Kjo është një situatë jashtëzakonisht e rrezikshme dhe potencialisht kërcënuese për jetën", paralajmëroi ajo.