Ish-kandidatja për deputete e PD dhe anëtarja e Këshillit, Ilirjana Kuçanaj ka folur për mediat pas debatit që pati përpara kamerave me kreun e partisë Sali Berisha. Kuçanaj tha se kryetarja e Këshillit Julinda Emiri shkeli statutin pasi nuk lexoi në hyrje të mbledhjes rezolutën që ajo kishte depozituar për afrimin e partisë me protestën dhe luftimin e fenomenit të ‘Mulizimit’ që ka zënë vend në parti.

“Kam depozituar një rezolutë, të cilën kryetarja e ka detyrim ta lexojë. Rezolutën për ta votuar, nëse e voton ose jo Këshilli, mbetet në dorën e tyre. Kryetarja nuk mund ta fillojë detyrën duke shkelur statutin. Duhet ta lexojë rezolutën dhe ajo ka një votë, siç kam edhe unë; të gjithë janë të barabartë.

Në këtë rezolutë ka diçka thelbësore që ka të bëjë me PD-në dhe protestën. PD duhet të lexojë sheshin. Njerëz që nuk i pranon sheshi nuk mund të katapultohen në pozicione. Unë kam kërkuar, si një parti politike, të dalim nga Këshilli me një rezolutë në mbështetje të protestës. Kam kërkuar edhe një mbështetje sa i përket PD-së. Kam kërkuar zotit Berisha dhe Këshillit të miratojmë dy organe të rëndësishme: një pjesë intelektuale, që të jetë mes protestës dhe partisë, dhe një forum studentësh dhe nga diaspora, që të përafrohemi me sheshin, që të jemi sa më afër protestës.

PD, nëse nuk lexon sheshin, nuk mund të jetë parti alternative. Pika e tretë ka qenë Mulizimi i PD-së. Mulizimi klanor i PD-së. Nuk mundet që në PD, kush do karrierë, duhet të mbështetet nga Muli, duhet të kalojnë nga zyra e Flamur Nokës. Ka ardhur momenti që PD të kthehet në meritokraci. Mulizimi është një fenomen që duhet luftuar. I ftoj të gjithë anëtarët e Këshillit të luftojnë mulizimin dhe kandidatët që janë propozuar prej tij. Duhet të votojmë njerëz që janë të shkëputur nga klanet.

Kam depozituar edhe disa kërkesa që nuk i kam bërë publike për shkak të etikës. Në momentin që në forum nuk më dëgjohet zëri, jam i detyruar të dal ta bëj me dije edhe për shqiptarët. Në momentin që PD nuk do të dëgjojë anëtarët e Këshillit, është një problem i madh. PD duhet të afrohet me protestën”, tha Kuçana.


Lajmi kryesor:

Sot zgjidhet kupola drejtuese e PD, ja kandidatët! Korreshi futet në garë përballë Nokës! Kuçana përplaset me Berishën: Duhet luftuar ‘Mulizimi’ i partisë (EMRAT)