/ATSH/.- Ministri i Drejtësisë në Kosovë, Hajredin Kuçi, deklaroi sot se qëllimi i marrëveshjes së arritur mbrëmë në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë në fushën e drejtësisë është integrimi i sistemit të drejtësisë në çdo pjesë të Kosovës.

Në një prononcim në lidhje telefonike nga Brukseli për KosovaPress, ministri Kuçi tha se "qëllimi i marrëveshjes është integrimi i asaj pjese të territorit tonë në sistemin tonë të drejtësisë, në zbatimin e ligjeve të Kosovës dhe në respektimin e autoritetit të institucioneve qendrore në çdo pjesë të vendit tonë".

Në një komunikatë për media të Bashkimit Evropian, u tha se rreth orës 2:00 të mëngjesit të së martës dy kryeministrat kanë finalizuar marrëveshjen për drejtësinë dhe gjyqësorin në Kosovë dhe në këtë mënyrë kanë mbyllur kapitullin kritik të implementimit të marrëveshjes së Brukselit, që do të përmirësojë në mënyrë substanciale jetën e njerëzve në terren./KosovaPress/k.s/