TIRANË- Deklarata e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis se Greqia do të zgjerohet me 6-12 milje në Jon, ka shkaktuar trazira në Shqipëri, duke u bërë shkak për "përplasje" në distancë me kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratit Lulzim Basha.

Ishte Rama i cili "hapi i pari lojën e reagimeve", të cilat u pasuan më pas me përgjigje dhe kundërpërgjigje nga të dyja kampet politike, ku nuk munguan ironitë.

"Hapu det se vajmedet ka dalë të të mbrojë Lulzimi me PD!Të qash për ata që vazhdojnë e hanë për djathë sapunin e PD apo të qeshësh me këtë Artist që s'e ka shokun për të bërë sikur?Je i madh Lul, sinqerisht, shyqyr s'u more me shitje djathi se do kishim mbetur pa copën e sapunit", shkruan Rama, si një reagim për deklaratën e PD.

Për këtë ironi, Basha nuk i ka kursyer një përgjigje Ramës. "Leri dërdëllitjet prej rrugaçi Edi Rama. Bëj transparencë çfarë po ndodh me negociatat për detin. Historitë me sapun ruaji se do të duhen më vonë...", shkruan Basha. Replikat kanë vijuar me Bashën që kërkon transparencë për marrëveshjen me detin, por Rama thekson se ka kohë që nuk po diskutohet për këtë çështje, që ku ka ardhur ai në pushtet.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:07
Vijojnë replikat për 'detin'/ Rama- Bashës: Ti do teatër vëlla që të zbavisësh ata që të vijnë në shfaqje

Vijojnë replikat në distancë mes kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratit Lulzim Basha.

"Për çfarë transparence e ke fjalën Lulëzim, kur s'ka as marrëveshje, as negociata qysh se ka ndryshuar qeveria në Greqi, ndërkohë që as me qeverinë e mëparshme marrëveshja s'është arritur?!Ti do teatër vëlla që të zbavisësh ata që të vijnë në shfaqje, të kuptoj, lum ti medet ata", shkruan Rama.

Ora 16:58
Basha- Ramës për çështjen e detit: Po ta përsëris Edi Rama, bëj transparencë e mos u fshih pas gërrvërreve bajate

Nuk ndalen përgjigjet dhe kundërpërgjigjet! Kësaj herë, kryedemokrati Lulzim Basha i përgjigjet kryeministrit Edi Rama.

“Po ta përsëris Edi Rama, bëj transparencë e mos u fshih pas gërrvërreve bajate. As servilët e fundit që të kanë mbetur nuk qeshin me to. Nuk je thjesht i lagur, je i mbytur në detin e marrëveshjeve të fshehta në kurriz të shqiptarëve”, shkruan Basha.  

Ora 16:43
Rama- Bashës: Marrëveshja me Greqinë për detin është ndalur me kohë! Mos bëj sikur nxehesh se s'ta kam unë fajin

Kryeministri Edi Rama i ka kthyer përgjigje sërish kryedemokratit Lulzim Basha lidhur me kufirin detar.

"Negociatat Lulëzim janë ndalur prej kohësh,që pas ndryshimit të qeverive në Greqi! S'ka asnjë të re nga ai front, përveç dallgëve të ligësisë e padijes! Po ti mos bëj sikur nxehesh,se s'ta kam unë fajin kur bën sikur s'je ti që e firmose atë marrëveshjen e famshme që rrëzoi GJK! Çfarë kanë qenë për të thënë janë thënë me kohë e me vakt, marrëveshje akoma s'ka, po ti dëgjo mua, gjej ndonjë temë tjetër për teatrin tënd, se me ata që i besojnë kësaj marrëzisë së detit do dalësh edhe më i lagur se në 2017! Ta kam thënë, këtë popull për budalla s'e bëni dot", shkruan Rama.