Presidentët e Kosovës dhe Serbisë Thaçi dhe Vuçiq shkëmbyen fjalë të rënda mes vete në Mynih, por u përpoqën të ruajnë dinjitetin e debatit. E kaluara ka hedhur hije të rëndë në raportet Beograd - Prishtinë.
"A nuk do të ishte mirë që - sikur këtë vit kryeministrat e Maqedonisë Veriore dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras - vitin e ardhshëm të nderoheni me çmimin e Konferencës së Sigurisë në Mynih pirkërisht ju", konstatoi në fund shefi i Konferencës së Sigurisë në Mynih, ish-ambasadori gjerman Wolfgang Ischinger. Të pranishmit e shoqëruan këtë fjali me duartrokitje. Dëshira për marrëveshje ekziston. Këtë e theksuan disa herë edhe presidentët Thaçi dhe Vuçiq në fjalimet e tyre. Ata shprehën gatishmëri që të punojnë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, për arritjen e një marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës, me të cilën do të normalizoheshin raportet mes Kosovës dhe Serbisë, si parakushti kryesor për integrime evropiane, paqe dhe stabilitet në rajon. Vuçiq dhe Thaçi do të dëshironin që marrëveshja të arrihet këtë vit dhe që marrëveshja të përfundojë me kompromis, "ku njëra palë nuk do të fitonte të gjitha ndërsa tjetra të humbte të gjitha".
Konflikti megjithatë mbizotëron
Por debati në Mynih dëshmoi se palët janë ende shumë larg marrëveshjes përfundimtare. Vuçiq nënvizoi që në fillim se Serbia është e përkushtuar të vazhdojë dialogun, me synim që marrëveshja të sjellë kompromis. Ai tha se "është i gatshëm të rrezikojë jo vetëm karrierën e tij politike, por edhe më shumë, shumë më shumë".
"Do të bëjmë gjithçka për të arritur një zgjidhje kompromisi. Nuk mund të ketë marrëveshje kapitulimi për njërën palë, në këtë rast Serbinë. Ky dialog nuk është për ne dialog për BE-në apo SHBA-në. Por për qytetarët e këtyre vendeve. Nëse punojmë fort, mund të arrijmë marrëveshje. Por sot jemi shumë largë marrëveshjes”, tha Vuçiq.
Ndërkohë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalën e tij hyrëse tha se problemi mes Kosovës dhe Serbisë është shumë më i komplikuar se ai mes Maqedonisë dhe Greqisë - për shkak të së kaluarës dhe luftës së vitit 1999. Presidenti i Kosovës tha se Serbia po vazhdon luftën e saj në çdo fushë për të pamundësuar konsolidimin e shtetit të Kosovës "që nuk është në harmoni me marrëveshjen e Brukselit, ku është thënë se Serbia nuk do të pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare". Në këtë kontekst ai përmendi dështimin e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL dhe UNESCO, që rezultoi me vendosjen e taksës ndaj produkteve serbe. Thaçi megjithatë shpreson se taksa do të hiqet, dialogu do të vazhdojë dhe se këtë vit do të arrihet marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, e cila do të mundësonte anëtarësimin e Kosovës në OKB e më vonë edhe në NATO dhe BE.
Dialogu nuk duhet të kushtëzohet
"Kosova do të kishte 1001 arsye për të vendosur kushte ndaj Serbisë për dialog. Por nuk e kemi kushtëzuar. Dialogu duhet të vazhdojë pa ndonjë kushtëzim", tha Thaçi i cili shpreson se taksat megjithatë do të hiqen dhe dialogu do të vazhdojë. Debati u ashpërsua në momentin kur presidenti Thaçi tha se "në Serbi askush nuk është dënuar për krimet që serbët kanë kryer ndaj popullatës civile në Kosovë gjatë luftës së fundit.
"Kush është dënuar për mbi 13000 kosovarët e vrarë nga serbët në luftën e fundit? Kush ëshë denuar për rreth 400 masakra dhe për përdhunimin e mbi 20000 femrave shqiptare? Askush nuk është dënuar. Kosova është viktima e madhe e këtij konflikti, e cila është përballur me spastrim etnik”, theksoi presidenti Thaçi.
Aleksandar Vuçiq kontestoi vërtetësinë për zhvendosjen e 850.000 shqiptarëve në kohën e luftës. "Por pavarësisht sa ka qenë numri - 150.000 apo 850.000 - fakt është që gati të gjithë ata janë kthyer pas luftës në vendlindje. Ndërkohë që nga serbët e zhvendosur është kthyer vetëm 1,3%", tha Vuçiq duke shtuar se Serbia ka implementuar të gjitha pikat nga marrëveshja e Brukselit, ndërsa Kosova ka pasur vetëm një kusht - krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe këtë nuk e ka realizuar. Kjo me shpjegimin e se Asociacioni nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës. "Por mos harroni se çfarë shkruhet në Kushtetutën e Serbisë, e ne megjithatë i kemi implementuar kushtet tona", tha Vuçiq.
"Neve nuk ka intereson Kushtetuta e tyre, sepse ne nuk e njohim Kosovën si shtet. Po ta them një gjë: Ju po flitni këtu si një president i shtetit sovran, por ne nuk e njohim këtë shtet. Nëse jeni sovran, pse keni nevojë për ne, pse po bëni dialog me ne?", pyeti Vuçiq, i cili më pas kërkoi falje për emocionet e tepruara.
Mosmarrëveshjet rreth njohjeve
Presidenti i Serbisë tha se Kosovën e kanë njohur shumë shtete, por shumë shtete të tjera jo. Ndaj edhe nuk mund të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare. Ai bëri edhe një lloj krahasimi mes vendeve që e kanë njohur dhe nuk e kanë njohur Kosovën. Në njërën anë janë SHBA, Gjermania, Italia apo Turqia, e në tjetrën Rusia, Kina, Spanja apo Greqia. Vuçiq foli edhe për humbjen e rreth 45 milionë euro në muaj, nga taksa 100% në mallrat e Serbisë.
Megjithatë këto mosmarrëveshje dhe grindje serioze, Vuçiq dhe Thaçi mendojnë se duhet arritur një marrëveshje kompromisi për zgjidhjen e problemeve një herë e përgjithmonë. "Ne nuk dëshirojmë ta dëmtojmë Kosovën. Jemi të përkushtuar për dialog dhe jemi serioz. Asnjëherë unë nuk e kam thënë asnjë fjalë të keqe për shqiptarët”, tha Vuçiq.
Thaçi: Kosova është shtet
Presidenti i Kosovës tha se Serbia ka qenë agresor gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe se historia nuk mund të rishkruhet. "Vuçiqi duhet ta kuptojë që Kosova është shtet i pavarur, i njohur nga 116 vende të botës. Unë dhe Vuçiq kemi dallime të mëdha mes vete, megjithatë po përpiqemi të arrijmë marrëveshje. Njohja e Kosovës nga Serbia nuk do të jetë një dhuratë, por do të jetë një kompromis ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. I ftoj të gjitha shtetet, që të jenë sa më unike në mbështetjen e dialogut. E di që ka shumë skepticizëm. Por nuk kam parë ndonjë ide tjetër", tha Thaçi duke shtuar se pa zgidhjen e këtij problemi, në rajon do të ketë ndërhyrje të shteteve të tjera .
BE shpreson marrëveshje
Ish-ambasadori Wolfgang Ischinger tha se edhe emocionet e treguara nga presidenti Vuçiq tregojnë për kompleksitetin e problemit. Ai nënvizoi rëndësinë e marrëveshjes, e cila "nuk është e pamundur".
Ndërsa komisioneri i BE për Zgjerimin, Johanes Hahn mendon se konflikti ndërmjet Kosovë dhe Serbisë është më i komplikuar se ai mes Maqedonisë dhe Greqisë. "Kur palët atje vendosin masa bllokuese mes vete, ato i bllokojnë jo vetëm shtetet e tyre, por edhe të gjithë rajonin", tha Hahn i cili mendon se "marrëveshja finale ndërmjet dy shteteve duhet të jetë një marrëveshje ku fitojnë të dyja palët." Komisioneri për Zgjerimin mendon se "tani është momenti për të arritur marrëveshjen finale, dhe ky moment nuk duhet të humbet"./ DW