Kujdesi Shëndetësor, Shqipëria zbret
21 vende në 2015 në indeksin europian

Kujdesi Shëndetësor, Shqipëria zbret<br />21 vende në 2015 në indeksin europian
Në renditjen totale, vendi ynë është i 33-i, nga 35 shtete europiane. Është e fundit në Europë në shpenzimet për frymë për kujdesin shëndetësor, të matura në dollarë sipas metodës së fuqisë blerëse…
Shqipëria renditet në vendin e 33 në Europë nga 35 shtete gjithsej, në Indeksin Europian të Shëndetit Konsumator (EHCI), të hartuar nga kompania suedeze Health Consumer Poëerhouse publikuar ditët e fundit.
Shqipëria mori 524 pikë, nga një total prej 1,000, duke lënë pas vetëm Poloninë (523) dhe Malin e Zi (484).
Në raport theksohet se Shqipëria ka zbritur 21 vende që nga 2014-a. Shqipëria u përfshi në indeksin EHCI me kërkesë të Ministrisë Shqiptare të Shëndetësisë. Shqipëria ka burime shumë të kufizuara të kujdesit shëndetësor. Sipas grafikëve të publikuar në raport, Shqipëria e ka treguesin më negativ në shpenzimet për frymë për kujdesin shëndetësor, të matura në dollarë sipas metodës së fuqisë blerëse, ku renditet e fundit në Europë. Vendi ka gjithashtu numrin më të ulët të doktorëve për 100 mijë banorë.
 
Raporti thekson se Shqipëria ka shmangur vendin e fundit për shkak të performancës së fortë në akses, ku organizatat e pacientëve gjithashtu kanë konfirmuar në 2015-n versionin zyrtar të ministrisë që koha e pritjes është një problem i vogël.
Shqipëria ka të njëjtin problem me shtetet e tjera të Ballkanit, me përjashtim të Sllovenisë: është e vështirë të vlerësohet se cilat shërbime të kujdesit shëndetësor janë të aksesueshme pa paguar nën dorë.
 
Raporti përfshin 48 tregues grupuar në gjashtë kategori: të drejtat dhe informacioni për pacientin, qasja (koha duke pritur për trajtim), rezultatet e trajtimit, gamën e shërbimeve të ofruara dhe zgjerimin e tyre, parandalimin dhe produktet farmaceutike. Kombinimi i këtyre indekseve – marrë nga studimet dhe të dhënat ndërkombëtare dhe nga pyetësorët e administruara në shoqatat e pacientit – synon të përshkruajë mënyrën në të cilën konsumatorit të shërbimeve mjekësore i shërbehet nga sistemi i tij.
Për Shqipërinë, nga 48 treguesit, 27 janë përkeqësuar, 10 janë përmirësuar, 6 nuk kanë ndryshuar, ndërsa për 5 nuk ka të dhëna.
Tabelat tregojnë se Shqipëria ka pasur përkeqësim në disa tregues si koha e pritjes për terapinë e kancerit, vdekja nga sëmundjet e zemrës, goditjet në tru. Tregues i përkeqësuar është dhe ai i mbijetesës nga kanceri.
Rezultatin më të keq Shqipëria e ka në kategorinë e llojit dhe arritjes së shërbimeve të ofruara, ku të gjithë treguesit janë në përkeqësim (barazia në sistemin shëndetësor, transplante veshkash për million popullsi, kujdesi shëndetësor dentar i përfshirë në shërbimin publik, pagesa informale te doktori, kujdesi shëndetësor afatgjatë për të moshuarit, përqindja e dializave që bëhen jashtë klinikave, ndërhyrjet cezariane).
Shqipëria paraqitet me tregues të përmirësuar në aksesin në të dhëna mjekësore, kohën e pritjes, vaksinimin e fëmijëve etj.
Në renditjen totale, kryeson Holanda me 916 pikë, duke pasur sistemin më të mirë të kujdesit shëndetësor në Europë, e ndjekur nga Zvicra, Norvegjia, Finlanda, Danimarka./MONITOR/

shqiperia

Redaksia Online
( b.h/Shqiptarja.com )

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

E zezë apo indiane? Trump vë në dyshim identitetin racor të Harris, reagon Shtëpia e Bardhë

E zezë apo indiane? Trump vë në dyshim identitetin racor të Harris, reagon Shtëpia e Bardhë