Kujtim Gjonaj, rrëfimi ndryshe
për luftën e UÇK-së

Kujtim Gjonaj, rrëfimi ndryshe<br />për luftën e UÇK-së
TIRANE- Peizazhet e Kosovës martire të mbushin me emocion që në sekuencat e para të dokumentarit “Gjithçka për Kosovën, Ramush Haradinaj”, i realizuar nga regjisori Kujtim Gjonaj. Në pak sekonda shpalosen simbolet e ngjarjeve dhe të figurave të mëdha historike në shoqërinë e peizazheve alpine. Metaforat e ekranit shpalosen të ndërthurura me përshkrimin e një epopeje heroike për luftëtarët e UÇK-së, e në veçanti për luftëtarët e Rrafshit të Dukagjinit, që mbajtën peshën kryesore të luftës kundër pushtuesit serb.

Me detaje pastra filmike, pa patetizëm, vjen ky dokumentar nga regjisori Kujtim Gjonaj. Ndërsa, fotografia e Spartak Papadhimitrit lë një mbresë spektakolare në sytë e shikuesit, regjisori shmang në çdo rast klishetë. Këtë e arrin më së miri duke përfshirë në dokumentar tri dimensionet kohore; retrospektivën, aktualitetin dhe perspektivën, që konkretizohen me portretet dhe historitë e liderëve historike në kohë të lashta e deri më sot. Sfidë pas sfide, regjisori e mbyll me delikatesë filozofike faqen tragjike të historisë dhe sjell në ekran një imazh të freskët: “lumin” e rinisë së bukur të Kosovës së lirë tashmë.

“Jeta rilindi në Kosovë”, duket sikur nënvizon regjisori.
I realizuar me këto cilësi të veçanta, dokumentari u shfaq ditën e shtunë në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë në praninë e pjesëmarrësve të shumtë nga Shqipëria dhe Kosova. Filmi u realizua me iniciativën e presidentit të shtëpisë filmike Euro Liza, ing.Sutki Hulaj; në bashkëpunim me shtëpinë e librit dhe të filmit ”Bota shqiptare”. Skenari u shkrua nga Enver Kushi, i cili morri jetë në ekran nën drejtimin e regjisorit të njohur Kujtim Gjonaj, Mjeshtër i Madh, dhe me fotografinë e Spartak Papadhimitrit e një stafi të përkushtuar artistik dhe teknik.

  Në fokus të filmit është Ramush Haradinaj dhe familja e tij që i dha luftës për çlirimin kombëtar gjakun e tre djemve të saj; Luanin, Shkëlzenin dhe Enverin. Ramushi shfaqet në këtë dokumentar në momentet më kritike të Kosovës si një luftëtar i shquar, organizator dhe komandant i talentuar. Ishte një gjeneral që hartoi strategjinë e mbrojtjes së popullit kosovar, duke i paraprirë një fatkeqësie njëqindfish më të madhe se ajo që ndodhi gjatë luftës me serbët. Regjisori Gjonaj ka lëvruar me sekuenca të shkurtra në skenarin e këtij filmi portretet e të gjitha figurave historike që lanë gjurmë të rëndësishme në historinë e kohëve moderne të Kosovës.

Në retrospektivën e dokumentarit, Kujtim Gjonaj kujton historinë shumëshekullore të luftërave për liri dhe pavarësi, të një populli fisnik dhe krenar, me të cilën historia u tregua gjithmonë e padrejtë... Sekuencat e filmit gradualisht e çlirojnë shkuesin nga bindjet dhe qëndrimet  ndryshme politike, duke iu afruar me shije estetike edhe kuptimit të plotë dhe të qartë të shkakut të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që jo pak herë paragjykohet. Ndër ngjarjet tragjike të historisë, lufta e UÇK-së ishte lufta që përfundoi me fitoren e shqiptarëve.

Finalja e dokumentarit dëshmon që drejtësia e kësaj lufte me Ramush Haradinaj sfidoi tribunalin e Hagës. Tabloja e luftës së UÇK-së përmbushet me shfaqjen e figurave të tjera historike si Ibrahim Rrugova dhe i paharrueshmi Adem Jashari me portretin e tij mitik; me mjekër e flokë të kreshpëruar nga jetesa në pyje sa kohë përndiqej nga serbët. Nuk mund të kuptohej ky dokumentar pa pjesëmarrjen e këtij heroi me fat tragjik. Serbët i masakruan gjithë familjen Adem Jasharit.

Dokumentari “Gjithçka për Kosovën, Ramush Haradinaj”, është një pasqyrë, jo vetëm për shikuesit që janë shqiptarë. Është një pasqyrë për të njohur meritat e një lufte fitimtare që  solli lirinë e asaj pjese të madhe të shkëputur nga trungu shqiptar në vitin 1913. Dhe së fundi, dokumentari “Gjithçka për Kosovën, Ramush Haradinaj”, është një pasqyrë, jo vetëm për gjurmët që ka lënë në këtë fitore gjeneral Ramush Haradinaj, por për gjurmët që kanë lënë të gjithë bijtë e Kosovës. Ky film dokumentar ka një strukturë të organizuar, duke ruajtur besnikërinë e ngjarjeve historike pa ngjyrime preferencash apo përkatësie partiake.

Duke parë dokumentarin, dalin në pah pyetjet të tilla që përforcojnë rrugën e drejtë që zgjodhi populli kosovar duke marrë në dorë fatet e veta. Pse dhe si doli në skenën historike Ramush Haradinaj dhe pse ai dhe familja e tij e morën parasysh vdekjen në këtë luftë. Nga se kushtëzohet fakti që pas fitores Ramush Haradinaj, kryeministër, të jepte dorëheqjen dhe të përballej me drejtësinë në Hagë.

Filmit njëkohësisht i bashkohen momentet e triumfit pas përballjes me drejtësinë, një triumf që nuk mund të kuptohej pa rrugëtuar në sakrificat e kësaj lufte që i dha Kosovës lirinë e pakthyeshme. Dokumentari i Kujtim Gjonajt është punuar me vërtetësi e realizëm, duke sjellë në skenë edhe njëherë kontributin e një luftëtari të shquar, politikani të mençur dhe një strategu lufte që, populli nga gjiri i të cilit lindi, e ndoqi pa hezitim...  

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike