Kujtimet e Lef Nosit, çfarë
dëshmish la për flamurin e Pavarësisë

Kujtimet e Lef Nosit, çfarë <br />dëshmish la për flamurin e Pavarësisë
Ishte 23 nëntor i vitit 1912, kur Lef Nosi së bashku me Mid’hat Frashërin e Shefqet Dainë pasi morën mandatin për të përfaqësuar Elbasanin në Kuvendin e Vlorës, nisën rrugëtimin e tyre në drejtim të qytetit bregdetar, ku pritej të ngrihej flamuri kombëtar. Së bashku me ta udhëtonin edhe përfaqësuesit e Kosovës, Sali Gjuka e Bedri Pejani. Pasi fjetën një natë në Godolesh në çifligun e Dhimitër Dashit vazhduan udhëtimin e tyre pa e ditur se në lundrën e Petovës, historia do t’i kishte rezervuar një surprizë: takimin me Ismail Qemalin. Që nga ky moment delegatët e Elbasanit dhe të Kosovës do t’i bashkëngjiteshin karvanit të tij drejt Vlorës. Qemal Karaosmani, një tjetër delegat i Elbasanit, shoqërues i Ismail Qemalit nga Durrësi, në kujtimet e tij të botuara në gazetën Arbëria në vitin 1936, do ta përshkruante kështu momentin e mësipërm:

“Po sa mbërritëm tek lundra e Petovës, mbasi në atë kohë nuk ekzistonin ura nëpër lumenj, u takuam me delegatët e Elbasanit dhe të Kosovës: Lef Nosi, Shefqet Daiu, Mid’hat Frashëri, Salih Gjuka dhe Bedri Pejani...Kur delegatët e përmendur ishin duke u fjalosur me I. Qemalin, ne që ishim të armatosur ca e ca u hodhëm në lundra dhe kaluam në anën tjetër të lumit. Në këtë moment prej buzës së malit dolën disa gjindarmë dhe u drejtuan drejt Plakut që kishte mbetur pa kaluar, bashkë me delegatët e Elbasanit. ...Në të kthyesen e lundrave për të marrë I. Qemal Benë me delegatët e Elbasanit, vrapuan edhe disa prej nesh që ti vinin në ndihmë, por kur mbërritëm në mes të lumit, gjandarët u avitën dhe u doli përpara Lef Nosi e u fjalos me ta, pastaj i mori dhe i pruri ke I. Qemali që e nderuan dhe i puthën dorën...Prej andej mbërritëm në Fier, tek Ymer Vrioni, ku hëngrëm drekën. Për darkë nuk qëndruam sepse I. Qemali tha se duhej të shkonim një orë e më parë në Vlorë... Mbas orës tre u nisëm nga Fieri dhe vajtëm në lundrën e Vjosës dhe si kaluam, hymë në rajonin e Vlorës, ku kishin dalë për të na pritur shumë persona ... Në qytet mbërritëm nga ora 9 e natës allafrënga....”.

Më 28 të vjeshtës së tretë, atë ditë enjte, shiu nuk i pengoi shqiptarët të hidhnin një hap të rëndësishëm për të ardhmen e tyre politike: të shpallnin mëvetësinë e mëmëdheut të tyre. 35 vjeçari Lef Nosi do të bëhej kështu protagonist i njërës prej ngjarjeve më madhore në historinë tonë kombëtare. Si pjesëmarrës aktiv në punimet e Kuvendit të Vlorës, Nosi ishte gjithashtu edhe një ndër nënshkruesit e Aktit të Pavarësisë si dhe anëtar i kabinetit të Ismail Qemalit. Protagonizmi i tij në këtë ngjarje nuk ishte i rastësishme. Formimi i shëndoshë intelektual dhe ndjenjat e spikatura atdhetare ishin shtysat kryesore që i kishin dhënë rolin e protagonistit pinjollit të Nosëve edhe më parë. Kishte vite që veprimtaria e tij politike kishte dalë nga dimensioni lokal duke përqafuar një dimension më të gjerë, atë kombëtar. Lef Nosi ishte një nga figurat qendrore që kontribuuan në organizimin dhe zhvillimin në vitin 1909 të Kongresit Arsimor Kombëtar të Elbasanit dhe në çeljen po aty të së parës shkollë normale në Shqipëri.

Ai dallohej edhe si koleksionist e gjurmues i përkushtuar i akteve më të rëndësishme të shtetit shqiptar. Si rrallëkush nga bashkëkohësit e tij, ai u kujdes dhe punoi me përkushtim mahnitës për grumbullimin, ruajtjen dhe botimin e elementëve të trashëgimisë historike e kulturore të shqiptarëve, duke u bërë kështu njëri prej atyre që hodhi themelet e Arkivit të Shtetit Shqiptar.

Për sa më sipër Lef Nosit shpesh herë i kërkohej mendimi në lidhje me ngjarjet të ndryshme historike, apo dokumente që kishin të bënin me legjislacionin shtetit shqiptar. Do të përmendja këtu dy momente: së pari vitin 1929, kur Këshilli i Lartë i Shtetit, kërkonte përkrahjen e Lef Nosit, për dorëzimin e kopjeve të urdhrave, vendimeve, ligjeve dhe rregulloreve të periudhës 1912-1914. Momenti i dyti, i përket fund vitit 1934, kohë kur ministri i Arsimit, Mirash Ivanaj i kërkonte Lef Nosit versionin e tij në lidhje me flamurin e ngritur nga Ismail Qemali, pasditen e 28 nëntorit 1912.

Për fat të keq, nga dita e madhe historike e pavarësisë, nuk janë ruajtur elementet më të rëndësishëm të saj. Shtëpia ku u mbajt Kuvendi Kombëtar i Vlorës nuk ka mundur t’i rezistojë kohërave. Nuk dimë ku është Deklarata origjinale e Pavarësisë, nuk kemi bisedimet origjinale të Kuvendit Kombëtar të Vlorës dhe as një foto të asaj dite. Madje edhe në vitin 1932, fotoja e festimeve të një vjetorit të Pavarësisë paraqitej në shtypin e kohës si foto e 28 nëntorit të 1912.

Të njëjtin fat ka edhe flamuri i Pavarësisë. Çështja e flamurit të ngritur nga Ismail Qemali ka një histori të gjatë, që është koklavitur në vite. Nga fundi i viteve 20 e deri në fund të atyre 30, në një hark kohor prej jo më shumë se 10 vitesh, variantet në lidhje me këtë flamur e kalojnë numrin 10. Tre janë arsyet e kësaj dukurie: sensi i lartë i protagonizmit tek shqiptarët, marrëdhënia problematike me të vërtetën dhe memoria e shkurtër historike. Po kaq janë edhe variantet që meritojnë të merren në konsideratë.

1. Flamuri u përgatit nga Marigo Pozio, çka do të thotë që zonja Pozio e qëndisi, e stampoi ose e ngjiti shqiponjën në flamur. Në një shkrim rreth ligjit të veteranëve në Gazeta e Re, më 9 dhjetor 1928 Kristo Floqi, ngre zërin për faktin se Marigo Pozio, veprimtare e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, njëkohësisht qëndistare e flamurit të ngritur nga Ismail Qemali, nuk merrte shpërblimin e veteranit. Pak ditë më pas po në të njëjtën gazetë, një korrespondencë nga Vlora mbështet thëniet e Kristo Floqit. Më 28 nëntor 1933 është sërish Kristo Floqi ai që përmend emrin e Marigosë si qëndistare jo vetëm të flamurit të ngritur nga Ismail Qemali por të të gjithë flamujve të ngritur në godinat qeveritare atë ditë të vjeshtës së tretë, duke i dhënë këtij varianti elementë mitikë.

2. Varianti i dytë ka si protagonist kushërinjtë Eqerem dhe Xhemil Vlora. Del si i tillë në fillim të viteve 30, kur Eqerem Vlora vihet në dijeni për një hetim të bërë në Vlorë në fund të vitit 1929. Rezultatet e këtij hetimi na vijnë në kohë nga studiuesja Valentina Duka, e cila ka parë korrespondencën e atyre viteve të ministrisë së Punëve të Jashtme me pinjollin e Vlorajve, duke arritur në përfundimin që flamuri i ngritur në Vlorë nga Ismail Qemali ishte marrë nga shtëpia e Eqerem bej Vlorës. Mbështetëse e këtij varianti është baronesha Amalia Von Godin, e cila pretendon se ishte ajo që e kishte marrë flamurin nga koka e krevatit të Eqerem Vlorës dhe ia kishte dorëzuar personave që e kërkonin, sepse ky i fundit në atë kohë ndodhej në Himarë, në krye të një garnizoni osman që organizonte mbrojtjen nga grekët. Ky flamur ishte dhuruar në vitin 1909 nga Aladro Kastrioti, një nga pretendentët e fronit shqiptar në vitin 1914. Flamuri ishte i leshtë dhe kishte përmasa të vogla.
Në vitin 1935 vetë Eqerem Vlora ka lëshuar një deklaratë në prani të drejtorit të Muzeut Kombëtar, Sotir Kolea dhe Ministrit të Arsimit, Mirash Ivanaj. Në dallim nga deklarata vitit 1930, tashmë bëhej fjalë për dy flamuj njëri i tij dhe tjetri i kushëririt Xhemil Vlorës, në shtëpinë e të cilit ishte ngritur flamuri, atë pasdite të 28 nëntorit 1912. Flamurin e Eqrem Vlorës, Ismail Qemali e kishte varur me dorën e tij në dritaren e shtëpisë ku u mbajt Kuvendi i Vlorës. Pas dy ditës, ky flamur ishte ngulur në derën e shtëpisë së Xhemil Vlorës. Ndërkohë që vendin e tij e kishte zënë një flamur i dytë i dhënë nga Xhemil Vlora.

Sipas deklaratës së tij: “Flamuri i parë, i z. Eqerem bej Vlorës, dhuratë e Don Gjin Aladro Kastriotit, ishte prej pëlhure leshi, me shkabën me dy krerë të snejtur me lesh të zi në mes. Shkaba kishte krahët përgjysmë të shpallur, për së gjati trupit dhe drejtim i sajë qe krah për krah me drejtimin e shtizës, siç është edhe sot në të gjithë flamurët. Flamuri i dytë, i z. Xhemil bej Vlora, që zu vendin e të parit në grillat e dritares, qe edhe ky prej leshi, sadopak i vogël me shkabën me dy krerë e kishte kokëngulmazi kthyer drejtë shtizës”. Po ashtu Eqerem Vlora shton se flamurin e tij në vitin 1914 e kishte marrë Avni Delvina. Por flamuri ishte djegur nga vorioepirotët.

Ndërkohë po në vitin 1935 vetë Xhemil Vlora kishte deklaruar se ishte ai që kishte dhënë dy flamuj që i kishte nga Don Gjin Aladro Kastrioti, të dy prej leshi, i pari 50 cm X 70 cm dhe i dyti 70 cm X 1.20 cm, pa thekë dhe pa kordonë. “Flamuri i parë, më i vogli, paska qenë ai që shtolli vetë Ismail Qemali, për herë të parë në hekurat e parmakëve të njërës prej dritareve bri ballkonit dhe pak më vonë të ngritur mbi shtizë në ballkon. Flamuri i dytë, më i madhi i ngjitur mbi shtizë u ngrit më pas në portën e shtëpisë së Xhemil Vlorës. Këtë flamur të dytë të portës, e paska marrë Avni Delvina, të cilit ia kanë rrëmbyer andartët e Epirit”.

Në vitin 1936 djali i I. Qemalit, Ethemi tregon se flamuri ishte marrë nga shtëpia e Xhemil Vlorës. “Pëlhura e flamuri ishte i leshtë dhe shkaba e stampuar. Nuk mban mend në ka pasur thekë apo kordonë. Më përafërsi përmasat e tij ishin 50 cm me 80 cm. Por në dallim nga dy kushërinjtë e tij, ai ishte i mendimit se flamuri nuk ishte zhdukur por se ndodhej i ruajtur në Shqipëri, ndër duar, që do të kujtohen ndofta ndonjë ditë t’ia falin Muzeut Kombëtar”.

3. Varianti i tretë ka si protagonist njërin nga firmëtarët e Aktit të Pavarësisë, Spiridon Ilon, mërgimtar në Bukuresht. Sipas kujtimeve që Spiridon Iloja i kishte dhënë të birit, Vangjos grupi i atdhetarëve që u nis nga Rumania për shpalljen e Pavarësisë kishte marrë me vete edhe flamurin. Edhe logjika e pranon që ata nuk do të niseshin për të ngritur flamurin pa e pasur atë me vete. Sipas Vangjo Ilos, ata kishin biseduan gjatë në hotel Kontinental, duke marrë të gjitha masat e duhura për ta kurorëzuar me sukses. Në Vlorë Spiridoni qëndroi në shtëpinë e Marigo Pozios që ishte vajza e tezes së tij. Atë natë ajo i kishte vënë thekët flamurit. Pasi e valëviti Ismail Qemali, unë e mbërtheva me sqepar në parmak, shprehej Iloja. Ndërkohë që në vitin 1920, kohë kur Spiridon Iloja kthehet nga Amerika boton një kartolinë me flamurin e kuq me shqiponjën dykrenore dhe me diçiturën: Kujtim për ditën e lirisë q’u ngrit Flamuri në Vlorë, 28 nëntor 1912.

Intensiteti i kërkimeve për flamurin shtohet në mes të viteve 30. Spikat këtu puna e çmuar e beratasi Sotir Kolea, drejtor i Muzeut dhe Bibliotekës Kombëtare që nga viti 1928. Ai u përpoq shumë për gjetjen e flamurit dhe ekspozimin e tij në stendat e Muzeut Kombëtar. Por puna rezultoi e vështirë. Sikurse shprehej ai vetë “i kam hyrë një rruge nga e cila nuk po di të dal”.

Në kuadër të kësaj pune ministri i Arsimit Ivanaj, bëri protagonist të historisë së flamurit të Pavarësisë edhe Lef Nosin. Më 18 dhjetor të vitit 1934 ministri i Arsimit me ndërmjetësinë e Inspektorisë së Arsimit të Elbasanit i kërkonte Nosit të përshkruante hollësisht flamurin e ngritur më 28 nëntor 1912. Në përgjigjen e tij të shpejtë pas dy ditës, Lef Nosi bënte me dije se flamuri që ishte ngritur në Vlorë ditën e pavarësisë ishte prej stofi të mëndafshtë, që në tregti quhej atllas, në ngjyrë të uthullës, “pak ma e çelët se mostra mbyllë këtu”, shprehej Nosi. “Shqiponja është si e sotmja vazhdonte ai, me dy krena e me dy krahë të ndemë, premë nga një copë sateni të zi dhe ngjitë mbi flamur”. Këtë punë e kishte bërë zonja Marigo Pozio në shtëpinë e saj. “Kur flamuri ishte duke u qepur delegatët që kujdeseshin për këtë punë, shkonin e vinin në shtëpinë e zonjës për me e shty qi ta mbaronte pa vonesë, për të shpejtuar shpalljen që pritej me padurim”. Pas shpalljes së pavarësisë, flamuri i ishte dorëzuar Xhemil Vlorës, me kërkesë të tij për ta ruajtur, mbasi shpallja e independencës ishte bërë në selamllëkun e tij, banesë në të cilën qeveria ndenji disa kohë.

Në letrën e falënderimit të ministrit Ivanaj dërguar Lef Nosit, kërkoheshin hollësi të mëtejshme si p.sh: A kishte flamuri thekë? Nëse po ishin ato të mëndafshtë apo të leshtë? Po ashtu kërkoheshin edhe përmasat e flamurit. Ashtu si edhe në letrën e parë, përgjigjja mbërriti shumë shpejt. Por Nosi nuk kujtonte nëse flamuri kishte pasur thekë apo kravatë. Sa i përket përmasave me hamendje, ato mund të kishin qenë 1.60 me 2m, pra një flamur i madh dhe jo i vogël.
Po në fund të dhjetorit, në lidhje me flamurin Lef Nosit iu kërkua mendimi edhe nga Et’hem Haxhiademi. Në një letër dërguar Nosit nga Gjirokastra më 24 dhjetor ai krahas konstatimit të drejtë se mbi këtë çështje kishte dijeni të plotë Lef Nosi, i cili jo vetëm që kishte qenë në Vlorë kur ishte ngritur flamuri, por edhe dallohet si njeri me ndjeshmëri të lartë ndaj këtyre “gjanave”, ai evidentonte vlerën e deklaratës së Nosit për të ndriçuar opinionin mbi një gjë kaq interesante dhe me vlerë kombëtare, siç edhe konsiderohej çështja e flamurit të pavarësisë.

Në përfundim mund të themi se mungesa e burimeve primare siç janë fotot apo dokumentet e shkruara gjatë atyre ditëve, e bën të vështirë njohjen e veçorive fizike të flamurit të Pavarësisë, kam parasysh këtu përmasat, materialin, punimin e shqiponjës, etj. Kjo çon në ekzistencën e shumë varianteve, çka e bën më të amullt situatën dhe na sjell vështirë në përcaktimin e tij. Megjithatë, duke ditur se Lef Nosi përgjithësisht njihej si njeri me integritet, që kishte sensin e historisë dhe njihte vlerën e dokumentit, varianti i parë që identifikohet me emrin e Marigo Pozios, mund të thuhet se, për shkallën momentale të njohjes, siguron një pikë të fortë mbështetjeje.

Shkrimi u botua në suplementin RILINDASI të gazetës SHQIPTARJA.com

(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Tuneli i Llogarasë

Tuneli i Llogarasë