Kujtimet në Radio, duke udhëtuar nëpër jetën e njeriut-Franko dhe artistit-Franko

Kujtimet në Radio, duke udhëtuar nëpër jetën e njeriut-Franko dhe artistit-Franko

Demir Gjergji ,Tefta Radi dhe Jozef Radi

Nëse për Françesk Radin do të fliste një muzikolog i mirëfilltë, natyrisht që do ta vlerësonte si një rrymë, dukuri apo, pse jo, dhe një fenomen i rrallë i muzikës shqiptare, duke e argumentuar këtë me terma të mirëfillta nga fusha e vet. Ndërsa një ndjekës i pasionuar i muzikës si unë, do të thoshte:

Me të gjitha këngët dhe interpretimet e tij, Françesk Radi është këngëtar, që troket e hyn lehtë në shpirtin e dëgjuesit, i çdo moshe apo shijeje muzikore qoftë. Ai mbetet zëri më origjinal në muzikën e lehtë shqiptare, përfshi edhe atë me motive folklori (sidomos me përpunimet dhe interpretimet e këngëve popullore të të gjitha trevave shqiptare. Njëherësh, ai zë vend të merituar edhe me interpretimet këngëve të gjigantëve botërorë, duke u dhënë atyre ngjyrimin e zërit dhe profilit të vet si artist. Kjo hapësirë në llojet, zhanret dhe stilet e muzikës nuk është një tendencë e jashtme e Frankos, një butafori që ta detyron skena. Ajo vjen si rrjedhojë e formimit të personalitetit të tij edhe si njeri.

Me origjinë prizrenas, me fëmijëri shkodrane, si durrsak, tiranas, madje, deri edhe me ndikime jugore (Tefta, shoqja e tij e jetës është bija e një korçareje dhe e një leskoviqari) dhe, mbi të gjitha, pinjoll i një fisi intelektualësh muzikantësh të thekur, me kulturë perëndimore e tradicionale shqiptare, ai do të formatohej si një profesionist me shije të larta e të holla muzikore, me interesa të gjera dhe, sidomos, me tendenca që kapërcenin kohët, sistemet shoqërore, kufijtë, modën, stilet, llojet dhe zhanret. Kështu, kitara dhe zëri i tij krijuan një bashkëjetesë origjinale, duke shfaqur një profil kantautori krejt të veçantë, që nuk i ngjason as interpretuesit të serenadave, as ndonjërit prej gjigantëve botërorë, siç është akuzuar dikur dhe mund të mendojë ende ndokush.

Mjafton të udhëtojmë nëpër peizazhin e këngëve dhe interpretimeve të tij, që do të donte kohën e vet për t’u dëgjuar i gjithi pa ndërprerje), për t’u bindur, se në asnjë krijim të tij nuk vihet re pluhuri apo ndryshku i ndikimeve stinore të modave muzikore, se nuk bie në sy asnjë shenjë dogme apo “aktualiteti “i ndonjë propagande. Këngët e tij kanë mesazhe dashurie dhe humanizmi si dhe tingëllim të mirëfilltë social si te kënga “Ky fat na ra “për shembull). Muzika e Frankos është vetëm muzikë, siç është diamanti vetëm diamant. Muzika e Frankos është vetë Franko, me sinqeritetin e tij gati fëmijëror, me pasionin e tij prej njeriu me shpirt të bardhë e të bukur, me nivelin e një mjeshtri të dalë nga dera e lartë dhe e madhe e Radëve fisnikë e me kulturë, edukatë dhe traditë shqiptarie, që rrallë ndonjë dere shqiptare i mbeti e pacenuar nga murtaja e diktaturës.

Demir GJergji.jpg" style="height:491px; width:780px" />

Libri per Francesk Radin i pergatitur nga Tefta Radi dhe Demir GJergji

Duke udhëtuar nëpër jetën e njeriut-Franko dhe artistit-Franko, të bën përshtypje se rreziqet, kërcënimet, presionet deri edhe pasojat, ishin “gjëra “përtej këngës së tij. Kjo është arsyeja që Franko s’iu qa e s’iu ankua asnjëherë askujt.

 E kishte bezdi të fliste për to, i dukej sikur i futeshin dhe ia rëndonin ritmet e këngëve, sikur ia zbehnin buzagazin miqësor e të mençur, sikur ia ndërprisnin marrëdhënien shpirtërore me kitarën, sikur do t’ia shtonin rrudhat e shpirtit e të shprehjes. Te kënga ai gjente lirinë e vet, te kitara binjaken e shpirtit, te të parët e fisit, krenarinë, te Tefta dhe familja, dashurinë, te Shqipëria e tij, dhembjen që e bëri këngë.

Prania e Françesk Radit në jetën time, përbëhet nga dy periudha: “Njohja pa e takuar “dhe “Miqësia bashkë “

I.   “Njohja pa u takuar”

a.   “Adresa”

Vitet më të brishta të rinisë sime, atëherë, kur bëja kilometra rrugë më këmbë për të parë nga larg një vajzë apo rrija gjithë natën pa gjumë për të shkruar një poezi, ose kur vrapoja kodrave të vendlindjes me një transistor dymijë e tetëqind lekësh në dorë, që transmetonte “lirisht” muzikë, lidhen njëkohësisht me errësirën e nëntokës, me minierën e Manzës. 80 kilogramë shinë në krahë për ta çuar në galeritë ajrore shtratit të një përroi, nëpër të cilin po të të rrëshqiste pak këmba, thyeje qafën,... Pastaj zvarritja nëpër llavë, i kërcënuar çdo çast nga pesha malit...

 Për ta bërë më të lehtë atë peshë shinash dhe mali, mbaja vazhdimisht në dorë radion. Shina në krahë, radioja në dorë dhe... Franko Radi që këndonte:

 “Ku e ke shtëpinë moj vajzë, S’të pyes dot jo... “

Brigadieri e të tjerë s’më shihnin me sy të mirë ashtu, si “karagjoz” me radio në dorë e duke dëgjuar “këngë moderniste, imperialisto-revizioniste”.

Promovimi Tefta Radi, Demir Gjergji, Tinka Kurti

Një ditë ma fshehin radion. I mërzitur, u ula mbi shinën që do të çoja te galeritë ajrore dhe thashë: “Po nuk ma dhatë radion, këtë shinë nuk lëviz vendit sot... Nuk mund ta çoj pa dëgjuar radion.” Shina duhej patjetër atje, në shpatet e kodrave, te galeritë ajrore dhe këtë, si i fuqishëm që isha, mund ta bëja vetëm unë. Bënë ç’bënë, ma dhanë radion. Nën peshën e hekurit dhe me flatrat që me jepte kënga e Françeskut, u nisa drejt galerive ajrore. Franko këndonte:  

 “Eca rrugës, s’di sa eca, Të kërkova ty...”

Kjo ishte kënga e parë që dëgjoja prej Françesk Radit, njohja e parë me të.

b.  Festivali

Ushtar në Shashicë të Vlorës. Ishte një repart ushtarak lart, në shkëmbinjtë që sundonin mbi Vlorë dhe, prej nga shihje pafundësinë e detit, Karaburunin, Sazanin. Midis stërmundimit të rreshtoreve, peshës së kundërajrorit 12.7-sh në kurriz, urisë (ushqimi s’na mjaftonte asnjëherë, alarmeve, talljeve që na bënin ushtarët e vitit të dytë, fjetoreve me dyshekë byku, të ftohtit dhe izolimi (na jepnin a s’na jepnin një herë në dy-tre muaj liridalje për në qytet), të vetmet çaste të bukura ishin, kur ulesha te Holli i Gurtë (kështu e kisha pagëzuar atë shkëmbi) dhe shihja Sazanin duke dëgjuar nga altoparlanti Françesk Radin.

   Ishte pragviti i Ri dhe mezi prisnim Festivalin e Këngës në Radio Televizion. Nata e dytë. Kishim marrë vesh, se do të këndonte Franko. Sapo u lajmërua kënga e tij, dhoma e kulturës së repartit oshtiu. Hyri në skenë me hap të lehtë djaloshi dhe iu afrua mikrofonit. Paraqitja i tij krejt ndryshe nga këngëtarët e tjerë na mbërtheu të gjithëve. Pas meje u dëgjua zëri i ushtar Besimit, nga Shkodra: “Ah, ta marrsha, fis i Shkodërloces. Me pas me m’i dhanë nji xhiro ata flokë të gjata...”(Françesku, bënte përshtypje edhe për paraqitjen e tij plot elegancë e shije. Ai binte në sy edhe nga flokët e gjatë...)

Zëri i tij mbushi sallën që s’pipëtinte:

Se n’Vietnam, o shokë, Bombarduan prapë sonte...”

Papritur ikin dritat... Një sharje nga më të rëndat u dëgjua pas shpinës sime. Ishte Besimi, shkodrani. Megjithatë askush s’lëvizi nga vendi. Për fatin e mirë dritat nuk vonuan, por për fatin e keq, Franko e kishte kënduar këngën e vet tashmë dhe për fatin edhe më të keq, televizori po jepte lajmet. Ekranin e mbushi plot portreti i Enver Hoxhës. Pas meje Besimi turfulloi si dem i lidhur: “Shkooo mor mut, mu*i, mor by....”dhe bashkë me të sharën lëshoi me sa i hëngri krahu opingën drejt televizorit, që, për fat, u përplas me tërsëlIimë në mur.

 Që nga ajo natë Besimin nuk e pamë më, ndërsa ushtarët përpiqeshin të vërshëllenin motive nga kënga e Frankos...

c.  Telefonatë zemrash

Kohë më vonë, në ditën e dytë të vitit të dytë si emigrant në Itali, po prisja, si gjithnjë, me ankth e padurim çastin kur do të dëgjoja zërin e Deradës 3-vjeçare. Nga një kabinë buzë autostradës “Via Aurelia”, formova numrin dhe pas pak, në vend që të dëgjoja zërin e Melit, dëgjoj Deradën, bijën e saj dhe timen:

 “Sot ke ditëlindjen, bija ime, Po unë jam larg e nuk vij dot....

Foto nga promovimi i librit

Me ty po flas tani o babi...”

Derada, dashuria më e madhe e babit, po më këndonte këngën e Francesk Radit: “Telefonatë zemrash”, që sapo e kishte dëgjuar dy net natë më parë të kënduar në festivalin e RTSH-së, nga Francesk Radi dhe Mariza Ikonomi. U mbusha dhe, nga ngashërimi, nuk flisja dot... Munda të shqiptoj vetëm: “Të kam shpirt, babi!”dhe e mbylla telefonin. Po në atë çast vendosa që të kthehem në shtëpi. “Në djall paratë, Italia, e jeta e emigrantit!”Brenda javës Deradën e kisha në krahët e mi, në shtëpinë time, në Shqipërinë time. Këndonim bashkë “Telefonatë zemrash”, këngën e Françeskut, që më shkuli nga dheu i të tjerëve e më solli në dheun tim.

II.     Miq

Pjesa e dytë e pranisë së Françesk Radit në jetën time lidhet me punën si gazetar në Radio Tirana. Ky rast ishte si një dhuratë tjetër e Zotit, i cili përveç flatrave që i dha pasionit tim dhe shumë motiveve të tjera, më në fund do të njihja drejtpërdrejt një nga idhujt e mi të muzikës, të cilin e kisha dëgjuar në rrethana nga më të ndryshmet dhe më të çuditshmet, që e kisha kërkuar në qiell e s’kisha mundur ta takoj.

d.  Kolegë në Radio Tirana

Në një prej ditëve të para në këtë institucion, po ngjitja, si zakonisht, me vrap shkallët e radios. Franko po ngjitej përballë, po me vrap. Më foli i pari:

-          Volare govanotto!

-          Fraaanko,- thirra fort. U përqafuam si të kishim një jetë miqësi. Ai me

çiltërsinë e një fëmije dhe ngrohtësinë e një shpirti prej artisti dhe njeriu të mirë, unë, me emocionin, se më në fund m’u përmbush dëshira e jetës për ta takuar e, për më tepër, për ta bërë mik të ngushtë. Që nga ai takim, pothuaj s’linim ditë pa u parë korridoreve dhe para radios, në zyrën e tij, ku e gjeja gjithnjë të përkulur mbi kitarë. Që pa hapur mirë derën ia dëgjoja zërin në harmoni me kitarën dhe hyja me kujdes për të mos ia ndërprerë këngën. Kur mbaronte, mbështetej mbi kitarë dhe më shihte në sy me një buzëqeshje gati si prej fëmije. “Si të duket?... Le që kot të pyes, ti veç lëvdata di të më thuash”.

     Aty, në zyrën e tij dhe, kur na duhej pianoja, në studion e madhe të radios, të ftohtë e të pariparuar me vite, kemi shkruar dhjetëra tekste të këngëve të kompozuara prej tij, apo përshtatje të këngëve të Çelentanos, Stromae, Spice Girls, musical-e të ndryshëm. Janë dhjetëra poezi të miat të vëna në pentagram nën nota e këngëve të tij. Ajo që më ka bërë më tepër përshtypje dhe që nuk mund ta harroj kurrë, është korrektesa e tij për çdo gjë; qoftë në orar, apo në marrëdhënie të tjera.

     Një herë, në prag të një Viti të Ri, më kërkon në telefon. “Ku dhe kur mund të shihemi?” “Kur të duash. “U takuam te sheshi “Willson”. (Çuditem tani, kur kujtohem, se shumë rrallë jemi ulur bashkë në kafe! Të dy i kishim zët ato mjedise. Parapëlqenim të ecnim shpejt, në mos, të vraponim. Ashtu, në ecje, edhe flisnim.) E pashë që larg tek vinte nga drejtimi i pallatit, ku banonte. U afrua dhe më zgjati një zarf: “Ç’është”,- hapa sytë. Honorari i “Portokallisë”, harrove?”Vërtet e kisha harruar atë bashkëpunim me Frankon. Por nuk harronte ai!

e.  Funebër me kitarë

S’e mbaj mend, se kush ma dha së pari lajmin e largimit të tij nga jeta. Mbase heshtja e kitarës së tij, që ma solli ajri i përzishëm i muzgut të dyfishtë prej vranësirës jo të zakonshme të atij fillim prilli të 2017-s. Ajo heshtje m’u duk e gjithëbotëshme. Aty për aty shkrova në statusin tim të facebok-ut:“A luhet funebër me kitarë?!!!”. Isha i bindur që jo! Kitara e tij ritmoi e kumboi gjithnjë gëzueshëm, edhe kur i këndoi dhimbjes. Telat e kitarës së tij do të mbeten udhë që na çojnë drejt dashurive dhe festave tona.

f.  Adresat e Frankos

Shkoni takojeni te Parku i Liqenit, në Tiranë dhe do të bindeni për këtë. Në kërkim të adresave të tij, si unë, në rininë time studentore, pasi keni shkelur mbi pllaka shëtitoresh me emra njerëzish të shquar, që na lanë shumë nga jeta e tyre, pasi keni parë Vëllezërit Frashëri në bronz, pasi jeni ulur në stola, ku keni lexuar përsëri emrat e shumë prej atyre që meritojnë kujtesë, pasi keni kaluar përmes Pyllit të Dritëroit, pasi keni ndjerë me shpirt tingëllimin e kitarës së tij, ja tek do ta gjeni, ulur në një stol, përball amfiteatrit, duke luajtur me kitarën dhe duke kënduar “Adresën”. Ja adresa e tij e përjetshme. Franko është ulur në një cep të stolit. Pjesa tjetër është bosh, për t’u ulur Tefta me fëmijët, për t’u ulur gjithë të afërmit e tij, për t’u ulur e për të kënduar bashkë me të, të gjithë ju, që e deshët dhe rendët gjithë jetës pas adresave të tij.

g.  Tefta

Një telefonatë nga nata e Australisë në ditën e Tiranës dhe zëri i Teftës:

-          Demir, si je? Do ta shkruajmë bashkë librin për Frankon?- Vetëm kaq

dëgjova nëpër zërin e saj disi të rënduar nga malli e dhimbja. Mbeta një çast. M’u duk, sikur vetë Franko, me zërin e Teftës tashmë, po më kërkonte tekstin për një këngë të re...

-          Pse jo? Do ta shkruajmë patjetër!- iu përgjigja menjëherë, duke harruar se

ç’farë do të shkruanim; një tekst për Frankon apo një libër për jetën e tij.
 

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Ata ishin 2 autorë!' Policia do të rimarrë në pyetje babain e shokut të Martinit: I dyti ka pasur thikë më të vogël

'Ata ishin 2 autorë!' Policia do të rimarrë në pyetje babain e shokut të Martinit: I dyti ka pasur thikë më të vogël