KUKES-  Tre turistë çekë të cilët po udhëtonin me automjetin e tyre nga Peshkopia drejt Kukësit janë grabitur nën kërcënimin e armës nga persona ende të paidentifikuar.

Grabitja ndodhi rreth orës 1 të natës në afërsi të fshatit Mustafë, kur tre turistët, David Kuback, Michael Benatsky dhe Vladimir Cerny kanë qenë duke udhëtuar në rrugën përgjatë Drinit të Zi.

Disa persona ende të paidenfikuar, nën kërcënimin e armës, u kanë dalë para turistëve çekë që udhëtonin me automjetin e tyre Land Rover dhe u kanë grabitur aparatet fotografike, telefonat, sasi të hollash, si dhe sende të tjera personale.

Më pas grabitësit i kanë lënë të lirë turistët , ndërsa këta të fundit kanë njoftuar Policinë e Kukësit, e cila është nisur drejt vendit të ngjarjes dhe ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Policia e Kukësit, fillimisht ka nxjerrë një njoftim të gabuar për media se ishin grabitur tre turistë kinezë.

(sg/ep/shqiptarja.com)