KUKES - Janë ndaluar sot në doganën e Morinit të rrethit të Kukësit dy persona, Ali Pali dhe Gëzim Sejfullahu, që rezultonin në kërkim nga policia për vepra të ndryshme penale. Burime zyrtare nga policia e Kukësit thanë se, Ali Pali, 51 vjeç, u ndalua nga policia kosovare në doganën e Vërmicës.
 
Ndalimi i tij është bërë pasi gjatë regjistrimit duke shkuar në Kosovë nga verifikimi në sistem rezultoi person i shpallur në kërkim nga gjykata e Lushnjes, pasi në 25 maj 2013 kishte caktuar ndaj tij, masën e arrestimit për “ndihmë për kalim të paligjshëm të kufinjve”.
 
Gjithashtu në doganën e Vërmicës është ndaluar edhe Gëzim Sejfullahu, 19 vjeç, nga Peshkopia dhe banues në rugën “Jordan Misja” të Tiranës. Ky person ishte i shpallur në kërkim për veprën penale të vjedhjes.
 
I riu dyshohet se është autori i vjedhjes se automjetit tip Mercedes-Benz 200, me targë TR 1014 H. Të dy personat e ndaluar i janë dorëzuar menjëherë policisë shqiptare në doganën e Morinit për kryerjen e veprimeve të mëtejshme.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)