Pak njerëz e kanë marrë me seriozitet deklaratën e fundit të Ministrit të Brendshëm për rritjen e popullësisë në Qarkun e Kukësit si pasojë e “hamshorllëkut” të banorëve vendas krahasimisht me qarqe të tjera. Shqetësimit të justifikuar të deputetëve të opozitës Ministri iu përgjigj në mënyrë tejet andekdotale, dukshëm duke mos pasur asye apo shpjegime të logjikshme për rritjen e shpërpjesshme e të menjëhershme të popullësisë.

Edhe vetë përfaqësuesit e mazhorancës u përpoqën ta anashkalonin deklaratën e mësipërme duke e mbuluar me mos-komentim, me përjashtim të Prefektit të Qarkut Kukës, i cili ka deklaruar edhe më parë se: “nuk kemi të bëjmë me rritje faktike të popullsisë, por me kthim të banorëve të larguar, si pasojë e rritjes së mirëqenies, përmirësimit të infrastrukturës dhe potencialit ekonomik të Kukësit.”
Vështirë që të besohen e të trajtohen seriozisht; nëse përmirësimi i infrastrukturës dhe boom-i ekonomik realisht do influenconin tek shqiptarët që kanë lënë zonat rurale të rretheve dhe i janë avitur zonave periurbane të kryeqytetit e disa qyteteve të mëdha, atëherë kjo prirje do duhej të shfaqej në të gjithë popullatën dhe në të gjithë vendin, dhe do duhej të kishim kthime të "të larguarëve" edhe në Gjirokastër, Berat, Korçë apo Elbasan, por kjo sigurisht që nuk ka ndodhur.  Popullësia ka pësuar rënie thuajse kudo, me përjashtim të Tiranës apo Durrësit, si dy qendrat më të mëdha të zhvillimit urban dhe  ekonomike në vend.

Akoma më e vështirë bëhet të besosh këtë argument, kur edhe vetë të dhënat zyrtare tregojnë se Qarku i Kukësit ka rreth 40% të familjeve që jetojnë me ndihmë ekonomike (Shërbimi Social Shtetëror, 2011) nivel papunësie prej afro 20%, zero ndërtime të reja banimi për 16 muajt e fundit, numrin më të ulët të pajtimeve telefonike, shkallën më të ulët të penetrimit të Internet-it, numrin më të voëgël të biznesve të reja, bazë industrial prej vetëm 3% të totalit të bizneseve (INSTAT, 2012) etj., duke përfaqësuar një prej qarqeve më të varfra e më të pazhvilluara të vendit. Me shumë gjasa shumë shpejt mazhoranca do t'i avitet justifikimit të fundit për të "shpjeguar" rritjen e popullësisë në Kukës, duke pretenduar se popullësia është rritur si pasojë e kthimit të emigrantëve nga vendet fqinje në krizë (Greqi e Itali), por dhe ky argument (nëse përmendet) do të jetë i pasaktë dhe i papranueshëm, sa kohë që kriza nuk mund të ketë prekur e të ketë detyruar të kthehen vetëm emigrantët nga Kukësi, por ka influencuar përpjestueshmërisht në mënyrë të barabartë emigrantët shqiptarë nga të gjitha krahinat, rrethet e qarqet.

Eshtë tepër e qartë se ajo që po ndodh me Kukësin nuk është asgjë më tepër sesa një manipulim i pastër demografik që synon t'i falë mazhorancës qeverisëse një mandat parlamentar i cili do të ishte jetik për llogaritë zgjedhore të pushtetit. Së bashku me manovrat mandate-blerëse në Qarkun e Fierit, propozimin për "pashaportizimin" e shqiptarëve kudo ndodhen (lexo Kosovë dhe Maqedoni), apo ofensivën e mediave
pro-qeveritare për të vënë në pah se "zgjedhjet nuk janë standart për marrjen e statusit", këto përbëjnë shenja të qarta paralajmëruese se mazhoranca nuk kandërmend të lëshojë pushtetin pa i provuar
e vënë në punë të gjitha mundësitë, qofshin këto të ligjshme apo të paligjshme. E dëshpëruar në kulm në mungesë të arritjeve të qënësishme për t'iu prezantuar shqiptarëve në 2013-ën, kjo mazhorancë hamshore me siguri që nuk do hezitonte të përdhunonte demokracinë, apo shancet e vendit për t'u integruar në BE, për sa kohë që do të mbante veten në pushtet.

Shkrimi u publikua në gazetën Shqiptarja.com(print), 21 dhjetor 2012
(ad.ti/shqiptarja.com)