Kukës ka nisur procesi për pajisjen me certifikatë pronësie të kullave shekullore, në kuadër të programit të rijetëzimit. Deri më tani janë kryer 50 aplikime nga banorët e zonës.

Mes tyre është Kadri Bulica nga fshati Kolesjan, i cili së bashku me familjarët ka trashëguar një kullë 102-vjeçare, por të paregjistruar në hipotekë.

Prej vitit 2005, objekti ka mbetur i boshatisur dhe ka nisur të degradojë për shkak të mungesës së mirëmbajtjes. Sot, ai është bërë pjesë e projektit të rijetëzimit, ku hapi i parë është pajisja me certifikatën e pronësisë.

“Kjo kullë ka vlera historike, ka shërbyer si bazë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe është djegur në vitin 1945”, thotë Kadri Bulica, banor i zonës.

Kulla e Kadri Bulices dhe banorëve të tjerë pritet të kthehen në bujtina, ndërsa banorët thonë se emigrantët e zonës janë të gatshëm të investojnë në turizëm.

“Synimi ynë është t’i kthejmë në bujtina, pasi turizmi po rritet dhe kjo ndikon në zhvillimin ekonomik”, shprehet një banore tjetër.

“Deri tani janë mbi 50 aplikime për rijetëzimin e kullave dhe kthimin e tyre në struktura pritëse për turistët”, tha Besart Halilaj, përgjegjës i turizmit, Kukës.

Procesi i certifikimit është faza e parë e Programit të Inventarizimit të Kullave, i cili realizohet nga Ministria e Kulturës dhe GIZ Albania. Në nivel kombëtar, rreth 550 kulla në qarqet Shkodër, Lezhë, Dibër dhe Kukës do te pajisen me tituj pronësie, me qëllim ruajtjen e trashëgimisë dhe nxitjen e turizmit kulturor.