Në Kukës po vijon rikonstruksioni i plotë i shkollës 9-vjeçare “Avni Rrustemi”, një prej institucioneve më të mëdha arsimore në qytet. Punimet pritet të përfundojnë në fund të vitit 2025 ndonëse afati është në marsin e vitit të ardhshëm.
Prej fillimit të këtij viti shkollor, nxënësit e kësaj shkolle zhvillojnë mësimin pasdite në dy shkolla pritëse. Situata e përkohshme, sipas drejtuesve dhe prindërve, ka sjellë disa vështirësi, veçanërisht për nxënësit e ciklit fillor.
'Orari ka qenë problem më shumë për klasat e arsimit fillor, orari i përfundimit të mësimit është shumë vonë dhe nxënësit e kanë të vështirë përqëndrimin' tha nëndrejtoi i shkollës Mirgent Kastrati.
Megjithatë, stafi pedagogjik është angazhuar maksimalisht për të siguruar që procesi mësimor të zhvillohet normalisht.
Shkolla “Avni Rrustemi” numëron aktualisht rreth 800 nxënës dhe 50 mësues, duke qenë ndër institucionet me numrin më të madh të nxënësve në arsimin bazë në Kukës.
'Kalon koha shumë shpejtë dhe s'kemi kohë që të mësojmë, sepse duhet që të përgatitemi për mësim për ditën e nesërme', tha një nxënës.
Pas ndërtimit në vitin 1974, kjo është hera e parë që godina i nënshtrohet një rikonstruksioni total me një investim prej 107 milion lekësh dhe pritet të krijojnë kushte me te mira për mesim.
Komente








