Kukës- U kapën në flagrancë me lëndë narkotike dhe me armë të ftohta në automjet, vihen në pranga 2 persona.
Sekuestrohen sasi lëndë narkotike e dyshuar kanabisi e ndarë në doza dhe 2 doreza metalike.
Shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin A. C., 28 vjeç dhe pasagjer shtetasin A. D., 22 vjeç, të dy banues në Kukës.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasit A. D. iu gjetën sasi lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa e ndarë në doza, me qëllim shitjen, ndërsa shtetasit A. C. iu gjetën 2 doreza metalike.
"Nga kontrollet e vazhdueshme që ushtrohen për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” kanë goditur këtë rast në fushën e narkotikëve dhe një rast në fushën e armëmbajtjes pa leje", njoftoi policia.
Pas arrestimeve, dosja i kaloi prokurorisë vendore me akuzat “prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.