Kukës, mjekët në grevë: Dhunohemi
nga familjarët e pacientëve

KUKES - Mjekët dhe infermierët e spitalit rajonal në Kukës sot kanë zhvilluar një grevë një orëshe pas dhunimit fizik të njërit prej mjekëve më të vjetër të këtij spitali Mustaf Mustafa (foto). Greva ekstreme në ndërprerjen e punës humane ndaj pacientit ka ardhur për shkak se mjekët dhe infermierët janë të kërcënuar çdo ditë në ambientet e tyre të punës nga të afërmit e pacientëve dhe pavarësisht denoncimeve nuk janë marrë masa konkrete, pretendojnë bluzat e bardha. Rastet e dhunimit të mjekëve nuk kanë qenë të pakta ku vetëm gjatë tre muajve të fundit statistikat flasin për 6 mjekë të dhunuar fizikisht, pa marrë rastet e tjera të dhunës verbale, kërcënimeve dhe sharjeve.

Ngjarja më flagrante është shënuar në orët e vona të natës së mbrëmshme ku një pacient është sjellë i plagosur nga një fishekzjarr në një ceremoni dasmore. Të afërmit e pacientit i kanë kërkuar mjekut roje të urgjencës, Mustafë Mustafës, të bëjë ndërhyrjen mjekësore, por ai ka kërkuar ndihmën e mjekut specialist okulist. Por familjarët janë revoltuar dhe kanë ushtruar dhunë ndaj mjekut kirurg Mustaf Mustafës.

“Në orën 23:00 vjen një i plagosur në sy. Shkoj e shoh. I thashë: do thërras mjekun okulist. Dhe u drejtova me thirr mjekun okulist që të vijë këtu – tregon për Shqiptarja.com mjeku Mustafa - Në këtë kohë më thonë: jo merru ti me të. Unë s’jam okulist. Ndonjë urgjencë s’ka, pret i sëmuri. “Jo duam me ty”. Jam i gëzuar që s’e preka se do më thoshin e ke qërruar ti”.

Sipas dëshmisë së mjekut, personat që shoqëronin të lënduarin “bënë një rrëmujë shumë të madhe. Burrat poshtë duke sharë personelin. Mua më kapën më tërhoqën prej këmishe nëpër korridor. Shanin me fjalë nga më të ndyrat aty”.

Mjeku Mustafa akuzoi gjithashtu policinë se e lejoi vetë agresorin që të largohet. “Vjen policia. I them: këta të dy janë agresorët. Shkuan me të sipër, ndenjën e ndenjën me të, pastaj vijnë poshtë e më thonë: na iku ai. Jam i bindur që ata vetë i kanë thënë ik”.

“Ky nuk është rasti i parë – pohon Mustafa - Këtu mjekët kërcënohen çdo ditë. Nga njerëz të dehur, nga rrugaçë. Janë jashtë çdo mbrojtje në detyrë. Janë goditur disa mjekë në spital, nuk është marrë asnjë masë”.

Ndërkohë, gjatë orëve të para të ditës së sotme (nga ora 8:00 deri në orën 9:00) të gjithë mjekët dhe infermierët e spitalit rajonal të Kukësit kanë zhvilluar një grevë një orëshe në mbështetje të kolegut të tyre të dhunuar. Siç pohojnë bluzat e bardha, “ne jemi çdo ditë të kërcënuar dhe të dhunuar e, ç’është më e keqja, nuk merret asnjë masë nga organet e policisë dhe prokurorisë së Kukësit. Deri sa të jemi të kërcënuar në ambientet e punës ne do të vijojmë më grevat një orëshe deri në ndërprerjen e plotë të punës”, deklaruan ata.

(be.le/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 29 Janar, 13:14

    Strategjia e SPAK për parandalimin e krimit elektoral, a do ketë sukses?



×

Lajmi i fundit

Udhëhoqi operacionin ushtarak për rrëzimin e Bashar al-Assad, Ahmed Al-Shaara bëhet president i përkohshëm i Sirisë

Udhëhoqi operacionin ushtarak për rrëzimin e Bashar al-Assad, Ahmed Al-Shaara bëhet president i përkohshëm i Sirisë