KUKES - Një minator ka gjetur vdekjen mbrëmjen e sotme, si pasojë e shkëputjes së një masivi dheu në momentin që ai drejtonte një fadromë. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:30 në qytetin e Kukësit në zonën e minierave të Kalimashit.

Sipas korrespondentit në vendngjarje, Bekim Lekica, minatori drejtonte një fadromë që e përdorte për të ngarkuar krom. Ai është mbuluar i tëri nga rrëshqitja e dheut dhe është zënë poshtë, ndërsa pak momente pas ngjarjes që i mori jetën minatorit 23 vjeçar, Bashkim Mema, u realizua edhe nxjerrja e trupit të tij nga masivi i kromit.

Kanë qenë disa minatorë të cilët punonin në mënyrë ilegale, fakt të cilin e pohon edhe nën drejtori i policisë së Qarkut Kukës, Xhafer Elezi, i cili thotë se nuk ishte një firmë e licencuar.

Sipas informacioneve nga vendi i ngjarjes, mësohet se minatori i cili është zënë nga masivi i mineralit të kromit, është Bashkim Mema, 23 vjeç nga fshati Kalimash.

Mësohet gjithashtu se kanë qenë edhe 4 minatorë të tjerë të cilët kanë marrë plagë nga rrëshqitja e kromit.

(Gre.M/Shqiptarja.com)