Në Shkollën e Bashkuar Bushtricë u zhvillua panairi “Traditë, Kulturë dhe Histori”, një aktivitet që solli në vëmendje vlerat më të spikatura të trashëgimisë kulturore dhe identitetit lumjan.

Nxënës, mësues dhe banorë të zonës u bënë pjesë e kësaj feste kulturore, ku u prezantuan tradita, zakone dhe elementë të historisë së krahinës së Lumës.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Lezhë, Hasan Muça, vlerësoi organizimin e panairit dhe u bëri thirrje nxënësve dhe mësuesve që të vijojnë të ruajnë e kultivojnë traditat lokale si një pasuri që i jep më shumë vlerë dijes dhe kulturës së zonës.

"Me këto aktivitete i jepni bukuri edhe dijes edhe trashëgimisë. Ju të dashur mësues kultivoni tek ta vlerat më të mëdha”, tha Hasan Muça.

Në aktivitet mori pjesë edhe drejtori Rajonal i Arsimit Parauniversitar në Durrës, Hazbi Lika, ish-nxënës i kësaj shkolle.

“Kemi bërë shumë projekte të tilla, por këta nxënës kanë kaluar të gjitha pritshmëritë tona”, thotë Hazbi Lika.

Ai tha se panairi kishte tejkaluar pritshmëritë në mënyrën e prezantimit të vlerave dhe traditave të krahinës.

Nxënësit prezantuan punime artistike, gatime tradicionale, objekte të trashëgimisë kulturore dhe elemente të tjera që pasqyrojnë historinë, zakonet dhe identitetin e zonës.

Aktiviteti u shndërrua në një festë të kulturës lokale, ku sipas drejtorit të shkollës, Myhyr Sulaj, u ndërthur kreativiteti i të rinjve me ruajtjen e vlerave të trashëguara ndër breza.

Panairi tërhoqi vëmendjen edhe të turistëve të huaj, të cilët po vizitojnë gjithnjë e më shpesh zonën e Bushtricës.

 “Kam dëgjuar se Shqipëria është shumë e bukur. Dua të shoh malet dhe njerëzit për një eksperiencë unike. Do të qëndroj një javë, sepse është një rajon shumë i bukur”, tha turisti.

Aktiviteti synoi promovimin e identitetit kulturor dhe forcimin e lidhjes së brezit të ri me traditat, duke dëshmuar se kultura dhe historia e Lumës vazhdojnë të ruhen me krenari dhe përkushtim.