Dy persona janë arrestuar në Pikën Kufitare të Morinës pasi tentuan që të kalonin me një  automjet, brenda të cilit kishin fshehur drogë.

Në pranga u vunë 29-vjeçari Rajmond Veliqi, shqiptar i Kosovës dhe pasagjeri 31 vjeçar Mehmet Centinkaya nga Turqia, por me banim në Gjermani. Policia thotë se në automjetin tip "Suzuki Vitara” u gjet e fshehur në kroskot një sasi kanabisi, ndërsa pas kontrollit fizik që iu ushtrua shqiptarit iu gjet edhe një sasi kanabisi në formë çokollate. 
 


“Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë gjetën të fshehur në kroskot, një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, ndërsa gjatë kontrollit fizik, shtetasit R. V. iu gjet një sasi lënde e dyshuar kanabis në formë çokollate. Lënda e dyshuar narkotike kanabis u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.     
 
Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Kukës arrestuan në flagrancë shtetasit R. V., 29 vjeç, dhe M. C., 31 vjeç, të dy banues në Gjermani, për veprën penale "Trafikimi i narkotikëve".  “, njofton policia.