Kukësi i ka dhënë lamtumirën e fundit shkrimtarit, poetit, studiuesit dhe gazetarit Izet Duraku, i cili u përcoll për në banesën e fundit në Morinn në fshatin e tij të lindjes.
Familjarë, miq, kolegë dhe qytetarë u bashkuan në ceremoninë mortore për të nderuar figurën e një prej intelektualëve të njohur të Kukësit, i cili la pas një trashëgimi të çmuar në letërsi, gazetari dhe studimin e trashëgimisë kulturore të Lumës.
Një moment simbolik i ceremonisë ishte ndalesa e kortezhit mortor pranë ambienteve të Radio Kukësit, institucion ku Izet Duraku zhvilloi një pjesë të rëndësishme të karrierës së tij. Pas viteve ’90, ai drejtoi këtë radio duke kontribuar në zhvillimin e gazetarisë dhe pasqyrimin e jetës shoqërore e kulturore të zonës.
Gazetari dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë, Regjep Shahu, kujtoi kontributin e Durakut në Radio Kukësi dhe angazhimin e tij profesional ndër vite.
Përtej gazetarisë dhe krijimtarisë letrare, Izet Duraku iu përkushtua studimit të historisë, traditave dhe folklorit të Lumës, duke kontribuar në dokumentimin dhe promovimin e identitetit kulturor të krahinës.
Ai mbajti gjithashtu detyrën e drejtorit të Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore, duke e shtrirë veprimtarinë e tij edhe në institucionet kombëtare të kulturës.
Izet Duraku u përcoll për në banesën e fundit në varrezat e Morinit, fshatin ku nisi rrugëtimi i jetës së tij, duke lënë pas kujtimin e një intelektuali të përkushtuar ndaj kulturës dhe trashëgimisë së vendlindjes.










Komente
Komento