Kukësi, Kolegji pranon provat
e LSI: Të bëhet akt-ekspertimi

Kukësi, Kolegji pranon provat<br />e LSI: Të bëhet akt-ekspertimi
TIRANË - Kolegji Zgjedhor i kryesuar nga Valbon Çekrezi ka pranuar kërkesën e LSI-së për qarkun e Kukësit sëbashku me provat filmike ku shfaqen mospërputhjet e votave dhe ka vendosur që në këtë qark të kryhet akt-ekspertimi i provave deri më 25 korrik. Akt-ekspertimi do të bëhet nga përfaqësues të LSI-së dhe PD-së, emrat e të cilëve i janë paraqitur Kolegjit në orën 18:00. Ekspertët janë të fushës së elektronikës: Ardian Pollo i LSI-së dhe Zamir Hoxha i PD-së.Ata do të bëjnë betimin sot në mbrëmje, para Kolegjit.

Gazetarja Joniada Koçi tha se “LSI-ka kërkuar rinumërimin e votave në 15 qëndra votimit të rrethit të Tropojës, pasi ka konstatuar papërputhmëri midis tabelave të KQZ-së dhe pamjeve filmike që vetë LSI-ja posedon. Janë rreth 155 vota të dyshimta, që LSI-ja pretendon se i përkasin asaj ndërkohë që i janë dhënë PD-së. Mandatet në qarkun e Kukësit, janë 3 për aleancën e djathtë dhe një për Partinë Socialiste. Në këtë qark, LSI-ja pretendon një mandat, i cili mund te merret me nje diference shumë të vogël, vetëm me 15 vota të cilat do ta ndryshonin raportin në 2 me 2.

Kolegji i mori në shqyrtim provat dhe pas 1 ore e 40 minutash, i pranoi duke kërkuar të ngrihet një grup ekspertësh që me një akt ekspertim t’i shohë provat dhe të vendosë për kërkesën e paraqitur nga LSI-ja,” - përfundoi ajo.

KOLEGJI ZGJEDHOR U PERCAKTON DETYRAT, EKSPERTEVE: JA ÇFARE DO TE BENI
Kolegji Zgjedhor, pasi ka marrë betimin e dy ekspertëve, u ka paraqitur atyre listën e detyrave që duhet të përmbushin. Së pari, të përcaktojnë a përmbajnë të njejta pamje, regjistrimet filmike të paraqitura nga LSI-ja dhe KQZ-ja e paditur; së dyti, çfarë pamjesh përmbajnë regjistrimet filmike; së treti; ajanë të qarta, pamjet filmike; së katërti, a mund të identifikohet procesi i numërimit sipas qendrave; së pesti, nëse mund të identifikohet procesi i numërimit, a mund të lexohen fletët e votimit; së gjashti, nëse mund të lexohet fleta e votimit, a mund të identifikohet shenja e vendosur në krah të subjektit' së shtati; a mund të verifikohet më shumë se një shenjë në atë vend dhe së teti; a mund të verifikohen fletët që nuk përmbajnë asnjë.

Ekspertëve iu është afat deri më 25 korrik për të përfunduar punën e tyre.
vendimi i kolegjit per kukesin
vendimi i kolegjit per kukesin 1
(Vendimi i Kolegjit Zgjedhor)

15 KORRIK, KQZ RREZOI KERKESEN E LSI PER RIVLERESIM VOTASH NE 15 QENDRA TE KUKESIT

Në 15 korrik, Komisioni Qendror Zgjedhor rrëzoi me 4 vota kërkesën e LSI-së për rinumërimin dhe rivlerësimin e votave në 15 Qendra votimi në qarkun e Kukësit.
Vendimi u mor nga 4 anëtarët e KQZ-së, ndërkohë që në fillim të mbledhjes PS e LSI këmbëngulën se shqyrtimi i ankimimit nuk mund të bëhej pasi KQZ nuk kishte kuorumin e duhur për të marrë vendim. LSI kërkoi rinumërimin dhe rivlerësimin e votave në 15 QV në KZAZ nr 9 pasi deklaronte se kishte mospërputhje të rezultateve të tabelave elektronike dhe grupeve të numërimit. 
 
DEBATI
“Vendimi për marrjen në shqyrtim të ankimimit nuk është i ligjshëm”- tha Muho. Nga ana e saj kryetarja e KQZ-së tha “Ne i kemi hyrë këtij shqyrtimi”. “Po përpiqesh të na tërheqesh në një proces të parregullt ligjor”- replikoi Muho duke shtuar se në respekt të publikut do të lexonte kërkesën e ankimimit.

Më pas nisi shqyrtimi i ankimimit. “Mes asaj ç'ka shfaqet në monitor dhe asaj që është shfaqur tabelat e grupeve të numërimit ka ndryshim. Janë harxhuar miliona euro për transparencën e numërimit të votave. Nëse do të bëhet rinumërim i votave do të kemi një rezultat të mandateve 2-2. Shikoni materialin filmik që na keni dhënë. Mbi bazën e kësaj bëni verifikimet.”- tha Muho.

Përfaqësuesi ligjor i LSI-së Ilirjan Muho kërkoi të merren si provë materialet filmike që vetë KQZ i ka vënë në dispozicion dhe “ku qartësisht është e dukshme diferenca mes votave që shfaqen në monitor për subjektet në koalicionin e djathtë me atë të tabelave të grupeve të numërimit. Materialet filmike të konsderohen si provë materiale. Kjo diferencën ndikon në ndarjen e madateve dhe ka një diferencë minimnale prej 15 votash” - tha ai.

Por, sipas anëtarëve të KQZ-së Vera Shtjefni dhe Hysen Osmanaj filmimet nuk përbëjnë prova zgjedhore. Nga ana e saj Shtjefni tha se "në proces verbale nuk shënohet që ka mospërputhje". Relatori i kësaj çështje, anëtari i KQZ-së, Hysen Osmanaj tha se edhe kërkesa ankimore e LSI-së, që kundërshton vendimin e ZAZ-së nr. 9 në Kukës, duke kërkuar rivlerësim dhe rinumërim të votave në 15 qendra votimi, nuk ka sjellë prova që mund të na çojnë Komisionin në kontestimin e rezultatit në këtë zonë zgjedhore.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Muzeu Etnografik i Krujës hap dyert pas restaurimit, digjitalizim e ekspozita të reja për artefaktet! Financim i BE

Muzeu Etnografik i Krujës hap dyert pas restaurimit, digjitalizim e ekspozita të reja për artefaktet! Financim i BE