Kukësi konfirmoi se Berisha-Bardhi nuk janë zgjidhje për demokratët

Kukësi konfirmoi se Berisha-Bardhi nuk janë zgjidhje për demokratët

Takimi Bardhi-Berisha në Kukës

Siç na rrëfejnë librat e shenjtë, të mbururit me mëkatin, është më e madhe se vetë mëkati.

Përballë imoralitetit individual të ish-kryetarit të bashkisë së Kuksit dhe amoralitetit shoqëror dhe politik të “Rithemelimit” dhe deputetëve rishtarë në gjirin e tij, kuksianët e bënë lehtësisht zgjedhjen e tyre. I pari u turpëruar publikisht, u largua dhe po vuan pasojat e veprimit të tij, ndërsa të dytët vijojnë të shesin mend, të qëndrojnë fuqishëm në akrobacitë amorale të tyre, duke rishpikuar elemente të moralit dhe të virtytit që janë ekskluzivitet vetëm i tyre. 

Ndonëse bashkia e Kuksit është një nga bastionet historike të Partisë Demokratike, politikisht rezultati i zgjedhjeve të pjesshme vendore na konfirmoi disa çështje:

Së pari, Sali Berisha e ka mbyllur përfundimisht ciklin e tij politik. Në dy vite, përveçse humbjesh të njëpasnjëshme, nuk ka shënuar asnjë fitore. Ai nuk frymëzon askënd përveç një grushti të vogël militantësh, të cilët sikurse ‘vullnetarët e Enverit’, nuk kanë për ta kuptuar kurrë një gjë të tillë. Përveç militantëve, pas vetes do vijojnë t’i qëndrojnë deri në fund një grusht servilësh dhe të paaftësh që gjithçka në politik e kanë si pasojë e besnikërisë ndaj tij.

Së dyti, bashkimi i Gaz Bardhit dhe deputetëve të tjerë të PD-së me “Rithemelimin” nuk ka ngjitur, nuk ka frymëzuar, nuk ka përçuar asnjë mesazh pozitiv në radhët e elektoratit, nuk ka forcuar në asnjë dimension opozitarizmin. Bashkimi mekanik dhe i sforcuar ka krijuar efektin e kundërt, nuk ka krijuar asnjë kimizëm, ka thelluar humbjen, ka dekurajuar votuesin, që nuk ka dalë në zgjedhje dhe ka bojkotuar, nuk ka justifikuar në asnjë rrethanë “arsyet” që u bënë publike për një vendim të tillë.

Së treti, gara fiktive në radhët e “Rithemelimit”, përjashtimi prej saj e individëve me potencial dhe me mbështetje të gjerë lokale, mosmarrja në konsideratë e thirrjeve të vazhdueshme që erdhën nga PD-ja lokale për t’u bashkuar dhe për të gjetur gjuhën e përbashkët për një kandidat vendas dhe me banim në zonë, treguan sërish se Sali Berisha është në pazar me Edi Ramën nëpërmjet oligarkëve të përbashkët, si Çet Kastrati, të cilët e mbajnë me financime dhe sponsorizojnë ‘luftën civile’ në radhët e PD-së. Të dhuruarit të Kuksit nipit të Kastratit, është në vazhdën e shitjes së bashkisë së Tiranës për shkak të “Kullës së Revolucionit”.

Së fundmi, mjaftoi mospjesëmarrja e PD-së zyrtare në garë, si pasojë e organizimit të saj të brendshëm, dhe lënia e fushës së lirë, për të mos pasur alibi dhe për t’u dhënë një shans demokratëve për të qenë bashkë, për ta qartësuar përfundimisht se përballë mazhorancës dhe pushtetit kërkohet një filozofi tjetër, kërkohet një opozitë që nuk është në pazar duke përfituar kulla në Tiranë dhe duke falur bashkinë në Kukës, kërkohet një opozitë që realisht nuk merret me luftën e brendshme, por sheh se si të përmirësojë vetveten dhe të bëhet e besueshme në sytë e qytetarëve shqiptarë.

Pavarësisht gjithçkaje, Sali Berisha do vijojë thirrjet për vjedhje votash, për manipulim të procesit zgjedhor, për revolucion dhe protesta (që nuk erdhën kurrë!), ashtu siç ka bërë për 30 vite me radhë sa herë që ka humbur, Gazment Bardhi do vijojë me argumentet e tij se bashkimi me Berishën është i moralshëm, sepse ai e bën opozitën më të fortë, duke premtuar se do të ndalojë luftën mes demokratëve (grupin e Berishës) dhe duke vijuar, siç bënte dikur me të parin, me të njëjtën mënyrë ndaj Lulzim Bashës, ndërsa demokratët dhe qytetarët shqiptarë do vijojnë të mos kenë besim tek opozita, për shkak të këtij kaosi të brendshëm.

Të paktën për sa kohë që do vijohet kështu.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Aktivitetet kulturore/ ‘Arrëthyesi’, baleti emblematik i Krishtlindjes te Opera, dy shfaqje teatrore

Aktivitetet kulturore/ ‘Arrëthyesi’, baleti emblematik i Krishtlindjes te Opera, dy shfaqje teatrore