Qarku i Kukësit është përfshirë nga reshje shiu, ulje të temperaturave dhe mjegull, ndërsa në zonat e larta malore janë regjistruar edhe reshje dëbore. Kushtet e paqëndrueshme atmosferike kanë prekur të tria bashkitë, Kukës, Tropojë dhe Has, duke sjellë vështirësi kryesisht në zonat e thella malore.
Deri më tani nuk raportohen problematika të theksuara sa i përket situatës së emergjencave apo përditshmërisë së banorëve.
Megjithatë, në disa segmente të akseve rrugore nacionale, veçanërisht në zonat malore, ka pasur rënie gurësh në trupin e rrugës.
Ndërhyrja në kohë e kompanive të mirëmbajtjes ka bërë të mundur largimin e tyre, pa krijuar pengesa për qarkullimin e automjeteve. Edhe në Rrugën e Kombit, pavarësisht reshjeve të shiut dhe kushteve atmosferike, qarkullimi i mjeteve vijon normalisht.
Megjithatë, drejtuesit e automjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, për shkak të lagështisë në rrugë.
Sipas parashikimeve meteorologjike, duke filluar nga dita e mërkurë e javës së ardhshme pritet një përmirësim i kushteve atmosferike.
Moti parashikohet të jetë kryesisht i kthjellët, me alternime të vranësirave kalimtare, duke sjellë një ndërprerje të motit të paqëndrueshëm që ka përfshirë ditët e fundit qarkun e Kukësit.










Komente
Komento