Kukësi është rikthyer te fitoret dhe në vendin e dytë në kampionat pasi sot verilindorët kanë mposhtur me rezultatin 3-2 Kamzën në “Elbasan Arena”.
Që në fillim të besuarit e Cungut ishin më kërkues dhe arritën të zhbllokonin shifrat në minutën e 8 me Shkurtajn. Goli solli përkohësisht qetësinë në kampin verilindorë pasi pak para fundit të pjesës së parë Kamza barazoi rezultatin. Në fraksionin e dytë të lojës ishin Rama dhe Rroca, dy lojtarë të tjerë të ardhur në merkaton e janarit ashtu si Shkurtaj, të cilët shënuan golat e parë për Kukësin duke i dërguar shifrat në 3-1. Kamza në minutat në vijim arriti të shkurtonte diferencat, por vetëm kaq pasi nuk mundi të dilte me pikë nga ky takim.
Me këtë fitore Kukësi shkon në kuotën e 41 pikëve, 8 më pak se Partizani kryesues, ndërkohë që Kamza vijon të jetë e fundit me 16 pikë.
Ndeshja tjetër e ditës së sotme e cila ishte edhe e fundit për javës e 23 mes Kastriotit dhe Laçit ka përfunduar me shifrat 1-1.