Kulla dykatëshe e Abatit të Mirditës Preng Doçi po degradohet dita-ditës. Alarmi vjen nga pasardhësit e një prej figurave më të ndritura të kombit shqiptar. Çarjet e mureve dhe amortizimi i tejskajshëm rrezikojnë jetën e banorëve që jetojnë në objektin 200-vjeçar të shpallur momument kulture më 7 janar 2015.
 
Aktualisht në këtë banesë jetojnë 4 familje dhe ndodhen përpara një situate të pazakontë. Degradimi i banesës rrezikon jetën e tyre, por shpallja e saj monument kulture nuk lejon asnjë ndërhyrje edhe në rast se këto familje do të kishin mundësi. Familjet pasardhëse të Abatit të Mirditës thonë se nuk kanë mundësi të blejnë një shtëpi të re, ndërkohë që shteti nuk u ofron asnjë ndihmë.

“Çdo ditë e më shumë po shembet. Çfarë bie jashtë bie edhe brenda. Thonë është monument kulture, e ka marrë Ministria e Kulturës dhe nuk vihet dorë as për ta prishur dhe as për ta rregulluar”, thotë Lira Doçi një nga familjaret që banon në kullë.
 
Jam vetë e treta me 120 mijë lekë në muaj, me ato të ardhura nuk mund të ndërtojmë asgjë”, thotë Mrika Doçi. 
 
Bashkia na ka thënë ky është monument kulture nuk lejohet të rregullohet asgjë, shkoni nga të doni nuk keni asnjë zgjidhje “, shprehet Gjergj Doçi.
 
Studiuesit thonë se kulla është ndërtuar rreth 200 vite më parë, por formën e saj të tanishme e ka marrë 136 vite me parë nga vetë Abat Preng Doçi.
 
Paulin Zefi, Specialist i Monumenteve të Kulturës shprehet: “Kjo kullë ka qenë kullë ekzistuese e cila është modifikuar më vonë nga vetë Abat Preng Doçi dhe thuajse edhe projektin e ka bërë vetë ai. Formën që ka sot e ka marrë pak a shumë para 130 vitesh.”
 
Abat Preng Doçi është një ndër figurat më të rëndësishme të Rilindjes dhe i fillim shekullit të XX në historinë e Shqipërisë. Ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në disa nga momentet më të rëndësishme të zhvillimeve politike dhe kulturore.

[gallery]19899[/gallery]

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com