Vijon të mbetet mister shembja e kullës historike të Prek Calit në Vermosh. 

Rrafshimi i ndërtesës së njeriut që ka kryesuar protestat e para anti-komuniste në Europë në 1945, ka hapur edhe një debat politik në vend. 

Bashkia e Malësisë së Madhe ka reaguar publikisht për këtë çështje, duke sqaruar se ndërtesa nuk është shembur nga ky institucion, por nga persona të paautorizuar. 
 
Ndërsa ndërtimi i ri mbi rrënojat e kullës shekullore, sqaron bashkia, ka qenë pa leje dhe për këtë arsye ka prishur punimet e nisura pak javë më parë.

“Me datën 16.08.2017 është paraqitur në zyrën e kryetarit të Bashkisë nje ankesë me gojë dhe me shkrim Z. Ndue Dok Dreshaj banor i fshatit Rapshë të Njësisë Administrative Kastrat se është shëmbur Kulla e dajës së tij Prek Cali. (Sqarojmë se Z. Ndue Dok Dreshaj është personi më i afërt i mbetur nga familja e Prek Calit).

Me datë 17.08.2017 kemi shkuar në vendngjarje për verifimikim IVMT ku është konstatuar që Kulla në fjalë ishte shëmbur plotësisht nga persona të paautorizuar dhe kishte filluar ndërtimi i një objekti të ri nga themelet”.

Nga IVMT u është kërkuar dokumentacioni përkatës për prishjen e Kullës dhe ndërtimin e objektit të ri, por sipas Bashkisë nga personat që po merreshin me ndërtimin e objektit nuk u paraqit asnjë dokument që legjitimon shëmbjen e objektit të vjetër dhe as për ndërtimin e objektit të ri.

Të ndodhur në këto kushte u mbajt proces- verbal konstatimi për ndërtimin pa leje në fshatin Velipojë të Vermoshit-Njësia Administrative Kelmend. Meqenëse pranë Bashkisë Malësi e Madhe nuk u paraqit asnjë dokument qe lejon kryerjen e këtyre punimeve me datë 21.08.2017 është mbajtur proces – verbal për pezullimin e punimeve deri në sqarimin e plotë të situatës duke ju dhënë mundësi që të paraqisnin dokumentacionin e kërkuar subjektit që po kryente punimet”, sqaron më tej Bashkia.

Sipas Bashkisë së Malësisë së Madhe, “duke qenë se punimet vazhduan edhe pse ishte mbajtur proces – verbal për pezullimin e punimeve dhe gjatë kësajë periudhe nuk u paraqit asnjë dokument që lejon kryerjen e këtyre punimeve ne me datë 05.09.2017 kemi marrë vendim për dënim me gjobë në shumën 500 000 lekë per personin që po kryente punimet në këtë objekt dhe gjithashtu është marrë vendim për prishjen e punimeve të reja që ishin kryer gjatë kësajë periudhe në këtë objekt”.

Me date 14.09.2017 nga ana e Bashkisë u morën masat për shëmbjen e ndërtimit të ri i cili ishte i jashtëligjshëm dhe janë prishur vetëm muret e reja të ndërtuara pa leje dhe nuk është prishur apo rrënuar qoftë edhe një gur i vetëm nga shtëpia egzistuese e Prek Calit.

Çdo veprim i ndërmarrë nga Bashkia Malësi e Madhe është në përputhje të plotë me ligjin.E theksojmë edhe njëherë që Bashkia Malësi e Madhe nuk ka të bëjë me prishjen e Kullës së Prek Calit, përkundrazi e dënon rëndë aktin e prishjes së kësaj kulle e cila është simbol i lirisë dhe demokracisë shqiptare”. Për këtë rast, Bashkia Malësi e Madhe thotë se jemi të hapur dhe transparente për sqarime të mëtejshme për ngjarjen''. (Dita)

VIDEO/Flet për Report TV kryetari i bashkisë së Malësisë së Madhe Tonin Marinaj