TIRANE - Ministria e Mbrojtjes reagoi sot ndaj akuzave të deputetit të Partisë Socialist, Taulant Balla i cili tha sot se kjo ministri dhe kreu i saj Arben Imami ka privatizuar pronat ushtarake shtetërore duke i shitur me çmime të papërfillshme. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Edvin Kulluri tha se ky institucion nuk shet pronat që ka në administrim, pasi sipas tij, ky proces është në kompetencat e Ministrisë së Financave.

Kulluri tha së deputeti socialist, Balla duhet të informohet mbi ligjin në mënyrë që të mos dezinformojë publikun me fakte të pavërteta.

“Në përgjigje të fushatës disinformuese të Partisë Socialiste, Ministria e mbrojtjes sqaron se nuk shet pronat që ka në administrim.”, u shpreh sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së mbrojtjes, Edvin Kulluri.

Sipas tij, pronat ushtarake që nuk duhen kanë procedura tjetërsimi.

“Ato prona që nuk duhen i nënshtrohen procedurave të tjetërsimit sipas procedurave ligjore. Ministria e Mbrojtjes ka publikuar në faqen zyrtare të gjitha pronat që janë jashtë përdorimit, dhe kjo është hera e parë që ndodh”, tha Edvin Kulluri.

Në lidhje me akuzat e Partisë Socialiste, se shitja e pronave nuk shkon për përfitime të ish pronarëve, Ministria e Mbrojtjes sqaroi sot se nga 21 prona që janë shitur gjithsej, 71 % janë përfituar nga ish pronarët.

Kulluri tha së është Ministria e Ekonomisë ajo që vendos çmimet dhe jo Ministria e Mbrojtjes e për këtë arsye ai ftoi edhe deputetin socialist Balla që të njohë ligjin.

Redaksia Online

(Gre.M/Shqiptarja.com)