Policia e Shtetit i kërkon Prokurorisë të kërkojë dënim dhe të hetojë kultivuesit e bimëve narkotike, të cilët kohët e fundit po e kultivojnë lëndën narkotike dhe në tunele e sera.

Në një material të siguruar nga Report TV i cili mban dt.31 Mars 2016, rezulton se policia e shtetit në luftën kundër narkotrafikut kërkon bashkëpunimin e gjithë strukturave të prokurorisë në rang vendi.

Sipas dokumentit rezulton se në pjesën më të madhe të rasteve kultivuesit e bimëve narkotike shfrytëzojnë për këto qëllime sipërfaqe toke në pronësi publike.

Një tjetër shqetësim i ngritur në kërkesën e policisë që kërkon angazhimin e prokurorisë për të kryer hetime është dhe fakti se kohët e fundit është vërejtur një tendencë e kultivimit të bimëve narkotike në tunele, ambiente të mbyllura, magazina, serra, si dhe laboratore nëprmjet energjisë elektrike.

Vetëm javën e fundit policia e shtetit në rang vëndi asgjesoi mbi 5000 mijë rrënjë bimë narkotike ndërsa numri i personave të proceduar e prangosur për sasinë e drogës mbetet gjithmonë i vogël krahasuar me sipërfaqen e mbjellur.

Pak ditë pas këtij shqetësimi të policisë së shtetit Prokurori i Përgjithshëm ka dërguar një qarkore për vartësit e tij ku kërkon intensifikim të luftës ndaj kultivuesve dhe hetimin e tyre me metoda proaktive përfshi dhe hetimin financiar.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com