Ky shqetësim vjen pas zbulimit nga ana e policisë helene të disa serave ultra-moderne ku ishin mbjellë me mijëra rënjë cannabis sativa në disa zona pranë qyteteve. Në shkrimin investigativ të gazetarit të njohur Vasilis Lambropulos, citohen burime nga drejtues të lartë të policisë greke që shprehen se pas operacionit të policisë shqiptare në Lazarat, “baronët e drogës” i kanë zhvendosur operacionet e tyre në Greqi.
“Drejtuesit e policisë në 24 orët e fundit kanë informacione të sigurta se serat super-moderne me hashash që ata kanë zbuluar kanë lidhje direkte me “Baronët e Lazaratit, që po zhvendosin “biznesin” e tyre gradualisht në vendin tonë (Greqi). Brenda pak muajve nga bllokada që ju ka bërë policia shqiptare në Lazarat, ata kanë krijuar në vendin tonë shumë plantacione të reja për prodhimin e hashashit”, shkruan “To Vima”.
Alarmi
Duke vënë në pah krizën që po kalon shteti fqinj, çmimin e lartë që ka kapur marijuana pas aksionit të policisë shqiptare në Lazarat, dhe duke i ndërthurur me fuqinë financiare e organizative të “Baronëve të Lazaratit” media greke e cilëson situatën alarmante. “Në rrethinat e Atikës po shpërngulen plantacionet e hashashit të Lazaratit! Pasi policia shqiptare u “pushtoi” në 2014 “kështjellën”, organizatorët e kultivimit të qindra tonë hashash në fshatin shqiptar, tashmë po krijojnë baza të forta në Greqi.
Ata po kërkojnë që të plotësojnë boshllikun e lënë në treg duke krijuar një rrjetë të ri për mbjelljen e më pas tregtimin e drogës. Nëpërmjet rrjetit të tyre mafioz ata po blejnë ose marrin me qera tokë bujqësore, por edhe sera. Në këtë mënyrë vendi ynë dalë nga dalë do të kthehet në qendrën e re europiane të kultivimit të hashashit”, shkruan “To Vima”
“Fabrika moderne”
Policia greke ditët e fundit ka zbuluar dy sera të mëdha ultra-moderne në të cilat cannabis kultivohej duke u stimuluar me drita dhe sistem vaditës. Rreth 3 mijë rrënjë u gjendën në këto dy sera, njëra në zonën e Ftiotidhas e tjetra pranë Nafplios. Sipas “To Vima” këto dy sera ishin fabrika të vërteta moderne të prodhimit të drogës.
Aty u gjendën aparatura moderne eletrike, prozhektorë dhe ndriçues special për ngrohje të bimës, gjeneratorë e deri tek sisteme ajrosje dhe ngrohëse-ftohëse të kompjuterizuara. Gjatë aksionit nga policia greke u kapën ose janë ende në kërkim 10 persona: grekë, shqiptarë dhe kroatë.
Katër “Dajot”
Gazeta greke, duke cituar drejtuesit e policisë helene, thotë se në Lazarat i gjithë procesi i prodhimit e trafikimit të hashashit drejtohej nga katër drejtues të cilët quheshin “Dajo” (epiteti është shkruar në shqip). Këta kanë mbetur të paprekur nga operacioni i policisë shqiptare dhe tani po investojnë në Greqi.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 24Tetor 2015
Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)