MAT- Ish kreu i PD-së në Rukaj, Shpëtim Lika ka rënë në prangat e policisë si i dënuar me 8 vjet burg për trafik të lëndëve narkotike. Në vitin 2016, 51-vjeçari u zbulua si autori i mbjelljes së mbi 4020 rrënjëve kanabis dhe i 3 tonëve të tjera të cilat ishin në proces tharjeje. Sasia rekord e drogës, u gjet në shtator të vitit 2016 ku Shqiptarja.com botoi edhe fotot nga  4 parcelat e mbushura me drogë në afërsi të banesës së 51-vjeçarit. Pranë përroit në atë zonë u konstatua nga policia një hangar i ndërtuar me shtylla druri brenda të cilit ishin gati për t’u tharë sasia e kanabisit. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Mat, për veprime të mëtejshme.

Kush është Shpëtim Lika:

Shpëtim Lika ka qenë ish funksionar i PD-së në bashkinë Burrel dhe ish kryetar i degës së PD-së në Komunën Rukaj. Pasi 4 parcelat e tij me 3 ton hashash u zbuluan në vitin 2016, ai u mor i pandehur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për akuzën e "Kultivimit të narkotikeve", "Grup i strukturuar kriminal", "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal" si dhe "Prodhimit dhe shitjes se narkotikëve".

Vendimi për dërgimin e dosjes së tij në gjyq aso kohe u mor nga prokuroria e Krimeve të Rënda, ndërkohë së bashku me Likën i pandehur është marrë dhe Marko Bushi nga Burreli i cili në 2017 kanosi me kallashnikov policinë dhe prokurorin e Rrethit, të cilët ishin duke shkuar në një nga parcelat e mbjella me hashash në këtë zonë.

Shpëtim Lika më herët, ka qenë edhe këshilltar i PD në këshillin komunal të ish komunës Rukaj.