Një 38-vjeçar është arrestuar nga Policia në Poliçan, pasi akuzohet për kultivim të bimëve narkotike.

Sipas uniformave blu, gjatë kontrolleve në fshatin Zgërbonjë u zbuluan 107 bimë të dyshuara Cannabis sativa dhe 20 kubikë me fidanë, të cilat u asgjësuan në vend me djegie.

“Në vijim të punës intensive për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, si rezultat i hetimit proaktiv dhe kontrolleve të pandërprera në të gjithë territorin e qarkut Berat, shërbimet e Stacionit të Policisë Poliçan goditën një rast të kultivimit të bimëve narkotike.

Gjatë kontrollit të territorit në fshatin Zgërbonjë, shërbimet e Policisë konstatuan 107 bimë narkotike dhe 20 kubikë me fidanë të dyshuar Cannabis sativa, të cilat u asgjësuan në vend, nëpërmjet djegies.

Nga veprimet hetimore të kryera me metoda proaktive u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit R. I., 38 vjeç, banues në Poliçan, i dyshuar si autor i kultivimit të këtyre bimëve narkotike.

Kontrollet antikanabis vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Berat, me qëllim parandalimin dhe goditjen e çdo veprimtarie kriminale në këtë fushë”, njofton Policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.