Tre persona janë arrestuar dhe 6 të tjerë janë shpallur në kërkim nga policia e Shkodrës nën akuzën e kultivimit të 10 274 bimëve narkotike të llojit kanabis.
Në pranga kanë rënë Arben Shpati 34 vjeç, Pavlin Shpati, 41 vjeç Aurel Fejzo 23 vjeç.
Në kërkim janë shpallur: Gjovalin Shpati, 37 vjeç, Artan Shpati, 30 vjeç, Aleksandër Shpati, 34 vjeç, Fatmir Shpati, 34 vjeç, Mhill Shpati, 31 vjeç dhe Aleksandër Rrasa, 23 vjeç, banues në fshatrat Bardhaj dhe Grude e Re.
Këta persona, duke vepruar si grup kriminal në muajin gusht kishin kultivuar bimë narkotike në fshatrat Kir dhe Pult, të cilat u asgjësuan nga policia.
Të arrestuarit kanë lidhje familjare dhe shoqërore me njëri-tjetrin dhe nga veprimet hetimore dyshohet se kanë bashkëpunuar duke vepruar në formën e grupi kriminal ku secili kishte rolin e tij, nga sigurimi i farave narkotike deri në kultivimin, prodhimin dhe shitjen e lëndës narkotike.
Në bashkëpunim me Prokurorinë po punohet për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të rasteve të tjera të kultivimit të bimëve narkotike nga këta shtetas, në zonën e Dukagjinit.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla
Ministri i Brendshëm Taulant Balla, ka komentuar arrestimet e fundit nga Policia e Shtetit në Shkodër, Tiranë, Elbasan, Prrenjas dhe Vlorë, në kuadër të operacioneve ‘Tempulli” dhe “Sundimi i Ligjit”.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, këtë të dielë, Balla shprehet se këto dy operacione madhore dhe të shtrira gjatë në kohë, kanë si qëllim mbrojtjen e komuniteteve dhe goditjen e krimeve të llojeve të ndryshme.
“Goditja e kultivuesve dhe shpërndarësve të lëndëve narkotike vijon çdo ditë, me qëllimin e mbrotjes së shëndetit të të rinive dhe çdo qytetari tjetër nga rreziku që sjell përdorimi i tyre. #PaketaeSigurisë në shkolla është e lidhur ngushtësisht me operacionin e Policisë së Shtetit “Tempulli”, duke synuar pastrimin e perimetrit të sigurisë së shkollave nga shpërndarësit e drogës. Operacioni “Sundimi i ligjit” mbron komunitetet tona nga personat me rrezikshmëri të lartë, persona në kërkim nga drejtësia apo ata të cilët posedojnë armë pa leje.
Në Shkodër, Tiranë, Elbasan, Prrenjas dhe Vlorë, u arrestuan, ndaluan/proceduan 19 shtetas. U sekuestruan sasi lënde narkotike dhe automjete që përdoreshin në veprimtari kriminale.
Vlerësoj bashkëpunimin e shkëlqyer mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë të Jurisdiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për hetimin e thelluar proaktiv që çoi tek kokat e grupit kriminal të përfshirë në kultivimin mijëra bimëve narkotike në Shkodër",- shkruan Balla,