Fondet për kulturën përllogariten rreth 4 miliard lekë në vit, ose 0,4 përqind të prodhimit të Brendshëm bruto. Strategjia e re Kombëtare për 5 vitet e ardhshme synon një rritje graduale të investimeve, duke e afruar Shqipërinë me mesataren e vendeve të Bashkimit Europian.

“Strategjia në thelb përcakton një objektiv afatmesëm për arritjen e një niveli 1 deri në 1.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të dedikuar për kulturën dhe rekreacionin...”, tha ministri Blendi Gonxhja.

Përtej mbështetjes buxhetore, burime të reja financimi parashikohen përmes fondeve ndërkombëtare, partneriteteve publike-private, donacioneve dhe kontributit të diasporës.

Strategjia përfshin rishikimin e ligjit për artin dhe kulturën, me fokus statusin e artistit, mbështetjen për krijuesit dhe lehtësimin e hyrjes në tregun e punës për artistët e rinj. Parashikohen gjithashtu ndryshime në legjislacionin për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, si edhe skema mbështetjeje për mbartësit e trashëgimisë kulturore jomateriale.

Zv.ministrja e Kulturës, Lira Pipa, tha se dokumenti është hartuar pas një procesi konsultimesh që ka zgjatur rreth një vit, me pjesëmarrjen e dhjetëra ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë dhe parashikon ndërhyrje të gjithanshme

“Digjitalizimi është një çështje që na lidh gjithmonë me trashëgiminë kulturore... Po ashtu, rrjetëzimi i biletimit, zhvillimi i turizmit kulturor dhe një kalendar i unifikuar kulturor do të ndihmojnë në rritjen e vizitorëve dhe të ardhurave.”

Strategjia synon gjithashtu zhvillimin e rrjetit kombëtar të muzeve, forcimin e diplomacisë kulturore dhe rritjen e autonomisë financiare të institucioneve kulturore. Duke folur për ekonominë e eventeve, ministri Gonxhja solli si shembull koncertin e Kanye West, duke deklaruar se aktiviteti, pavarësisht kritikave dhe bojkotit, pati ndikim të konsiderueshëm ekonomik.

“Koncerti i Ye mblodhi mbi 23 mijë vizitorë të huaj dhe afro 60 mijë spektatorë, duke gjeneruar rreth 35 milionë euro qarkullim në ekonomi.”

Gonxhja shtoi se Ministria është në negociata për organizimin e eventeve të tjera me artistë ndërkombëtarë, duke e konsideruar ekonominë e eventeve jo si luks, por si një instrument për promovimin e vendit dhe rritjen e të ardhurave.